I ndëshkoi një shkodran, Plori: E vështirë, gabuam shumë. Hasani? Është profesionist

schedule20:29 - 4 Prill, 2022

schedule 20:29 - 4 Prill, 2022

Vllaznia u mposht nga një shkodran, pasu Edon Hasani do të shënonte dopietën e tij për t’i dhënë fitoren Kastriotit, por edhe i shkaktoi humbjen e 3-të rresht shkodranëve.

Një humbje që dhemb shumë te kuqeblutë, pasi tashmë rrezikohet edhe vendi i 4-të në kampionat, me Partizanin që i kërcënon nga pas.

Pas këtij takimi, Elvis Plori ishte shumë i mërzitur për humbjen, ndërsa theksoi se skuadra e tij gaboi shumë në këtë sfidë, teksa për golin e Hasanit tha se ishte edhe fat.

“Mendonim të bënim kthesën dhe pësuam dy gola kur ishin në avantazh. Moment i vështirë, gabuam shumë. Mund të dyfishonim me Aralicën me kokë. Mendoj se u ndie dhe lodhja, si dhe në anën psikologjike janë të dërrmuar lojtarët. Kemi gabuar duke i lënë shumë hapësira skuadrës kundërshtare.”

Ende në lojë për objektivat: “Kemi edhe 9 javë, ne jemi ende në lojë, kemi ndeshjen për të shkuar në finale të Kupës. Duhet të ngremë kokë dhe të mendojmë pozitivisht. Duhet ta analizojmë këtë ndeshje, sidomos në anën psikologjike. Ka një ngarkesë nga ana psikologjike, presion nga ambienti, duke përfshirë edhe tifozët, që janë kërkues ndaj skuadrës. Skuadra ka ngërç nga ana psikologjike, por duhet të mendojmë pozitivisht. Goditja psikologjike reflektohet te rezultatet.”

Ecuria e Vllaznisë: “Kemi pasur luhatje në disa ndeshje. Ka munguar pak freskia, mënyra si duhet kërkuar goli në metrat e fundit. Ajo pjesë ka munguar. Sa u përket ekuilibrave, goli i dytë i pësuar nga 30 metra është edhe fat.”

Goli i Hasanit: “Edonin e kam pasur sportist te moshat dhe ai është profesionist, siç punojmë edhe ne.” /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!