I mori 8 mln lekë familjarëve të pacientes me COVID, Tirja kërkon të dalë nga qelia

schedule13:53 - 19 Janar, 2021

schedule 13:53 - 19 Janar, 2021

Tire Alldervishi, sanitarja e spitalit COVID-2 që u hoq si infermiere duke zhvatur familjarët e pacientëve të prekur me koronavirus kërkon të lërë qelinë. Avokatët e saj kanë paraqitur në prokurori një shkresë ku kërkojnë një masë më të lehtë sigurie për klienten e tyre.

Burime bëjnë me dije për gazetaren Glidona Daci se ata nuk kanë specifikuar masën e sigurisë, por duke qenë se trupi gjykues e ka lënë burg, opsionet janë “arrest shtëpie” ose “detyrim paraqitje”.

Alldervishi u denoncua në një emision investigativ nga vajza e një paciente të prekur me COVID e cila ndërroi jetë në spital, që thoshte se ajo i kishte marrë 8 milionë lekë të vjetra për t’i shërbyer të ëmës. Vajza e pacientes publikoi edhe disa mesazhe tronditëse ku Alldervishi i kërkonte paratë ose i thoshte të gjente dikë tjetër më të lirë.

Pas kësaj ngjarje Prokuroria e Tiranës ka shtrirë hetimet edhe mbi personelin mjekësor të spitalit Covid-2 “Shefqet Ndroqi”.

Organi i akuzës ka sekuestruar kamerat e sigurisë së spitalit për të parë se me kë kishte komunikim 58 vjecarja duke qenë se ajo nuk punonte si sanitare në pavionin ku ishte e shtuar pacientja që humbi jetën nga koronavirusi. /mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!