Fyerje ndaj viktimave, e konsiderojnë mohimin e masakrës së Reçakut banorët e këtij fshati. Një nga të mbijetuarit e masakrës rrëfen se si shpëtoi në natën kur hynë forcat paraushtarake serbe në fshat.
Vetëm 3 km larg qytezës së Shtimes gjendet fshati Reçak. Masakra që ka ndodhur në këtë fshat në vitin 1999 pati bërë jehonë në gjithë mediat botërore. Ramë Shabani një nga të mbijetuarit e kësaj masakre rrëfen se si ndodhi e gjithë ngjarja. Forcat serbe më 15 prill fillimisht kishin rrethuar shtëpinë ku qëndronin disa familje meqë konsiderohej si më e sigurtë.
“Na kane marrë na kanë ndarë burrat veç gratë veç. Ne burrat na kanë keqtrajtuar dhe na kanë marrë gjithçka çfarë kishim ne xhepa“, thotë ai.
Pasi i kishin rrahur e keqtrajtuar në sy të grave e fëmijëve u kishin kërkuar që të iknin në mal.
“Na qëllonin me armë nga të gjitha drejtimet, nuk dinim nga vinin të shtënat. Kemi ikur e jemi ngjitur përmbi lëndinë”, tregon Shabani.
Por një befasi e pakëndshme po i priste lart.
“Ishim ulur këtu sipër në kodër, ndërkohë vjen policia serbe dhe me gjuhën e tyre na pyetën se cfarë ishim duke pritur, dhe filloi duke qëlluar të gjithë ne. Ikëm me nxitim sa mundëm por nga të shtënat pak më poshtë u vranë edhe 10 persna të tjerë të cilët ishin duke ikur”.
Ai e konsideron fyrje mohimin e masakrës së Recakut, ndonëse thotë se duke parë se nga kush vjen, nuk është befasi.
Në këtë vend janë masakruar mbi 30 persona ndërsa të vrarë e masakruar në Reçak janë gjithsej 54 persona 11 prej të cilëve ushtarë të UÇK-së. Ndërsa ende nuk dihet asgjë për fatin e Sahide Metushit. Ish-ministri i Kosovës nga komuniteti serb javë më parë ka thënë se ngjarja në Reçak është trilluar dhe kjo deklaratë solli shkarkimin e tij nga ky post. Masakrën e Reçakut e kanë mohuar edhe krerë të shtetit serb./abcnews.al