I mbijetuan përplasjes tragjike, vajzat “rilindin”, por nuk e dinë se kanë humbur shoqet e tyre

schedule12:06 - 16 Shtator, 2020

schedule 12:06 - 16 Shtator, 2020

Denisa Dibra dhe Nervida Garunja, dy vajzat që mbetën të plagosura nga aksidenti tragjik i të dielës mbrëma tashmë e kanë kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhen në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Burime nga spitali i Traumës për abcnews.al bëjnë me dije se Denisa Dibra tashmë është në gjendje më të stabilizuar, pavarësisht dëmtimeve në kokë të cilat sipas mjekëve nuk përbëjnë rrezik për jetën.

Ndërsa edhe Nervida Garunja e cila u përmend pak më vonë si pasojë e dëmtimeve të rënda, tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe arrin të komunikojë edhe me familjarët e saj.

Por ngjarja tragjike e 13 shtatorit mbrëma ku humbën jetën Lusinda Garunja dhe Xheneta Qallia është fshirë nga kujtesa e tyre. Ato nuk mbajnë mend asgjë nga aksidenti tragjik, ndërsa nuk kanë dijeni se motra e njërës prej tyre Lusinda dhe shoqja e tyre Xheneta Qallia kanë ndërruar jetë.

Mjekët kanë rekomanduar që të pritet deri në stabilizimin e plotë të gjendjes së tyre, dhe më pas lajmi i trishtë do i komunikohet atyre edhe me praninë e një psikologu.

Katër vajzat po udhëtonin në tunelin e Elbasanit kur në dalje të tij u goditën nga pas nga një makinë tip “Benz” që drejtohej nga Behar Pema. Ky i fundit rezultoi i dehur në testin e alkoolit dhe u arrestua nga uniformat blu.

Nervida Garunja e cila ishte pasagjere në sediljen e përparme i tha policisë se e kishin parë makinën që i aksidentoi të bënte manovra përgjatë gjithë rrugës deri pak momente para përplasjes tragjike.

Ato po shkonin të festonin 19-vjetorin e lindjes së Lusinda Garunjës e cila fatkeqësisht ndërroi jetë në ditën e saj të lindjes./Mimoza Vraja/abcnews.al