Duket se kampionët në fuqi do të kërkojnë deri në fund të mbrojnë trofeun. “Rrogozhinasit” e Egnatias kanë arritur një rezultat spektakolar mesditën e kësaj të marte, teksa, në “Arena Egnatia” kanë mundur “dhunshëm”, “Kurbinasit” e Laçit, me rezultatin e thellë, 3 me 1, duke siguruar kështu gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Pas ndeshjes, një koment të shkurtër për mediat e bëri edhe tekniku i “Rrogozhinasve” të Egnatias, Edlir Tetova, i cili u duk tejet i lumtur për kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, megjithatë nuk i kurseu as disa kritika për “Zijeshilët” e tij e veçanërisht për tërheqjen në mbrojtje, që ndodh zakonisht pas shënimit të një goli.
“Mendoj që është grupi që përfaqëson gjatë gjithë kohës. Mendoj se sot, në pjesën e parë dominuam totalisht. Si çdo herë më shqetëson fakti që mbasi shënojmë, vjen në tërheqje në mbrojtje, gjë që e sjell ekipi vetë, jo me ndikimin tim.
Montenegro dhe Rama? Ka kurba akoma. Ata kanë shumë muaj pa luajtur. Në javët në vijim të shpresoj që t’i kemi të gatshëm. Ideja është që Kupën do e mbrojmë, se jemi fituesit. Jemi shumë të përqendruar te Kupa. Në kampionat kemi pasur lluksin të ndryshonim lojtarë, por siç e dimë tani Vllaznia është shumë afër.
Është shumë shpejt të mësosh dy sulmues që të luajnë bashkë, duhet minimalisht një vit. Minutazhi që kanë në këmbë është minusi i atyre. Por sot jam i kënaqur nga ajo që shfaqën ata të dy. Shpresoj që në të ardhmen, në ndeshjet e ardhshme të jenë akoma më efektive.
Është 3-0. Siç e pamë gabuam aty në mbrojtje. Mund të pësonim një gol tjetër, por Sherri e korrigjoi vetë. Nuk dua t’i rikthehem kësaj. Duhet të punojmë në javët në vazhdim. Janë dy kompeticione ndryshe. Nëse kampionat kishim luks, këtu nuk lejohet sepse mbarove ndeshjen, eliminohesh dhe ikën në shtëpi. Kurse në kampionat edhe rikuperohesh.
Ne jemi në vitin e prodhimit. Ne prodhojmë lojë, por edhe lojtarë. Na ka shkuar mirë për të bërë shitje. Kam besim te kjo pjesa. Mua nuk më vjen mirë t’i stërvit lojtarët, t’i bëj gati dhe të largohen, por kur janë në një mendim dhe presidenca, çdo gjë do shkojë mirë.
Tirana? Nuk ka hakmarrje, ka vetëm konkretizim. Kështu që asnjë hakmarrje. Konkretizimi është që të kemi vazhdimësi, të prodhojmë lojë dhe të shkojmë te goli. Normalisht do vinte momenti, por më vjen mirë që minutazh kanë marrë të gjithë lojtarët. Kjo është gjëja më e mirë deri tani, pastaj në vazhdim do të shohim”,- u shpreh tekniku i Egnatias. /i.m /abcnews.al