Kombëtarja e Holandës arriti një fitore të vyer, mbrëmjen e së enjtes, teksa në “Philips Stadion” të Eindhovenit mposhtën “helenët” grekë, me rezultatin e thellë 3 me 0, në sfidën e vlefshme për fazën kualifikuese të Kampionatit evropian të futbollit, Euro 2024.
Mbi rezultatin foli dhe tekniku i “tulipanëve”, Ronald Koeman, i cili tepër i lumtur u shpreh se skuadra arriti një fitore të madhe, në një moment jo shumë të mirë për lojtarët, të cilët sapo kanë nisur kampionatet e tyre.
“Nuk është kurrë e lehtë të zhvillosh ndeshje kaq të rëndësishme kur sapo kanë nisur kampionatet. Mora përgjigjet e duhura nga djemtë. E nisëm mirë dhe mund të kishim shënuar më shumë, por mënyra se si e menaxhuam ndeshjen pas çdo goli të shënuar më pëlqeu shumë.
Edhe ata që u futën në pjesën e dytë bënë po aq mirë, ndaj ndihem krenar kur shoh kaq shumë përkushtim edhe nga ata që ndoshta nuk janë gjithmonë në fushë”,- u shpreh tekniku i “tulipanëve” holandezë. /i.m /abcnews.al