I lindur me gjysmën e një dore, talenti gjilanas bën namin në Kosovë

schedule10:57 - 23 Nëntor, 2020

schedule 10:57 - 23 Nëntor, 2020

Futbolli është lojë shumë e vështirë për tu luajtur sepse kërkon kushte optimale fizike, por ka nga ata që e sfidojnë këtë aspekt dhe luajnë si të barabartë mes të tjerëve. I tillë është rasti i futbollistit të moshës U15 të Dritës, Enis Xhemaili. Djaloshi ka lindur me një problem me njërën dorë, duke mos e pasur të plotë, si pjesa më e madhe e njerëzve.

 

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar talentin të shkëlqejë mes të tjerëve dhe luajë si i barabartë me ekipin e Dritës. Ai në katër ndeshjen e këtij sezoni me Dritën ka shënuar plot 9 gola, çka tregon qartë edhe talentin e tij. Djaloshi së fundmi është rrëfyer për KTV, ku tregon kënaqësinë që i jep futbolli dhe përshtatjen me pjesën tjetër të skuadrës.

“Hobi është futbolli. Kënaqem vetëm futboll, më mjafton një top futbolli dhe unë jetoj me të. Sporti është jeta, me të bëhesh i madh. Kam bërë shumë për futbollin. Dua ti mësoj shumë të rinj. Kam ëndërr të hap një fondacion dhe t’i ndihmoj njerëzit në varfëri, sidomos ata që e duan futbollin”, u shpreh talenti.

 

Për talentin gjilanas foli edhe trajneri i tij, Ardian Latifi, që tregon se Enisit do i duhet me patjetër një ndërhyrje mjekësore për të pasur mundësi të luajë në nivele më të larta, pasi do të ketë më shumë dyluftime dhe do i bëhet më e vështirë.

“Enisi është mes lojtarëve më të mirë të akademisë së Dritës. Është shumë krijues dhe luan mirë në fazën ofensive dhe në mbrojtje. Në ndeshjet parasezonale ka luajtur diku te 800 minuta, ka shënuar 18 gola në 15 ndeshje.

 

Me ekipet e moshave U13 dhe U15 nuk ka probleme, por për të luajtur në kategori më lart apo me ekipin e parë do ta ketë të vështirë për shkak të dorës, sepse ka më shumë duele trup më trup. Duhet të shohim se çfarë do bëjmë në të ardhmen. Ka mbështetjen e të gjithëve dhe kam besim se do t’ia dalë”, deklaroi trajneri. /abcnews.al