I kishin premtuar emigrantëve kalimin drejt BE për 1000 euro, arrestohen dy persona

schedule09:28 - 1 Shtator, 2020

schedule 09:28 - 1 Shtator, 2020

Dy persona janë arrestuar nga policia pasi u kapën duke transportuar 18 emigrantë të paligjshëm nga Pogradeci në drejtim të Tiranës.

Në pranga janë vënë E. I., 29 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë si dhe A. P., 24 vjeç, banues në Tiranë.

Ata i kishin premtuar emigrantëve kalimin drejt BE kundrejt fitimit prej 100 euro për secilin prej tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

“Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.

Në vijim të këtij operacioni, goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Arrestohen në flagrancë nga Policia 2 shtetas, të cilët po transportonin 18 emigrantë të paligjshëm.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së. Si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

E. I., 29 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë.

A. P., 24 vjeç, banues në Tiranë.

29-vjeçari, është kapur në afërsi të fshatit Stropckë, Pogradec, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin furgon tip “Volksëagen”, 18 emigrantë të paligjshëm, i cili në bashkëpunim me shtetasin A. P., (në rolin e shoqëruesit) iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit prej 100 euro për secilin prej tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, njofton policia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!