Gjykata e Apelit ka vendosur “arrest shtëpie” për Nikolin Janina i cili akuzohet si koka e një grupi kriminal në Spanjë.
Biznesmeni shqiptar, Nikolin Janina u arrestua më 6 maj me qëllim ekstradimi në Spanjë, por gjykata e la në burg në pritje të dosjes së plotë hetimore nga Spanja, ndërsa sot u la i lirë nga qelia në “arrest shtëpi” .
Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, e cila e la Janinën nga arrest në burg në arrest shtëpie.
Nikolin Janina, dyshohet nga drejtësia spanjolle të jetë lideri i një grupi kriminal të trafikut të drogës.
Në kuadër të këtij grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga biznesmeni i pllakave dhe hidrosanitareve, policia dhe prokuroria Spanjolle, ka sekuestruar një sasi prej 53 kg e 380 gramë heroinë.
Autoritet e drejtësisë Spanjolle në vitin 2015 kanë marrë një vendim për caktimin e masës së “arrestit në burg” ndaj Janinës, duke e akuzuar këtë të fundit për akuzën e “Pjesëmarrjes në grupe kriminale të trafikimit të narkotikëve”.
Drejtësia Spanjolle ka proceduar në 15 prill 2016 me nxjerrjen e emrit të biznesmenit Nikolin Janina, në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Që prej kësaj date e deri më sot, policia dhe prokuroria Shqiptare nuk kanë marrë asnjë masë për arrestimin e biznesmenit Janina.
Në datën 12 korrik 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të sekuestrojë 13 pasuritë e Janinës, duke urdhëruar që ato tashmë të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Paluajtshme pranë Ministrisë së Financave. Dy muaj pas këtij vendimi, oficerët e policisë kryen ekzekutimin e këtij vendimi në hipotekë dhe në terren. Nuk dihet me saktësi se cilat kanë qenë arsyet se pse vendimi i gjykatës ka “fjetur” për dy muaj në sirtarët e policisë së Tiranës, por me sa duket shtrirja gjeografike e pasurive, mund të ketë dashur relativisht një kohë më të gjatë për lokalizimin e tyre në teren.
/abcnews.al/