Deputetja Rudina Hajdari ne fjalën e saj në Kuvend ka reaguar me kritika ndaj politikanëve shqiptarë. Hajdari e ka krahasuar kryeministrin Rama me diktatorin Fidel Kastro, ndërsa u shpreh se e pushton foltoren e Kuvendit në mënyrë makabre, pas fjalës së mbajtur të kreut të qeverisë, për akuzat e liderëve të Kosovës.
“Më vjen keq që nuk i kemi gjetur ato xhelatë dhe flasim për Kosovën. Ne ia kemi bërë gjëmën këtij vendi”, u shpreh Hajdari.
Hajdari u shpreh se për sa kohë asnjë nuk është dënuar nuk mund të flitet për Kosovën në Kuvend, ndërsa shtoi se hipokrizia më e madhe e Kuvendit nuk është vetëm kryeministri Rama, por çdo kryeministër që ka qenë përpara tij.
“Zoti Rama mbajti një fjalim për rreth 1 orë, më keq se Fidel Kastro, vjen këtu në Kuvend, merr këtë foltore dhe e pushton në mënyrë makabre. Hipokrizia më e madhe në këtë Kuvend nuk është vetëm faji i Edi Ramës , por i çdo kryeministri që ka qenë më përpara.
Nuk mund të flitet për Kosovën pa folur për viktimat e komunizmit. Pa pasur asnjë të dënuar në burgje. Më vjen keq që nuk i kemi gjetur ato xhelatë dhe flasim për Kosovën. Ne ia kemi bërë gjëmën këtij vendi. Ne i kemi bërë të njëjtën gjë që i ka bërë Serbia, Kosovës. Ne ia kemi bërë popullit tonë. Mos t’ju vije keq, duhet ta shikojmë të shkuarën ashtu si është”, tha Hajdari.

