I jepet lamtumira e fundit mjekut Arjan Pushi! Pse po infektohen kolegët e tij në QSUT?!

schedule18:16 - 1 Korrik, 2020

schedule 18:16 - 1 Korrik, 2020

 Nga Ajgena Korbi

Humbja e kolegut të tyre prej koronavirusit një ditë më parë duket se i ka bërë bluzat e bardha në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë të reflektojnë.

Maska nuk i “pengon” më për të biseduar me dikë. As për të lëvizur nga një shërbim në tjetrin.  Disa prej tyre madje mbajnë dhe doreza.  Pamje të tilla më parë i ndeshje më rrallë.

Me gjithë këtë dikush mund të ndjehet dhe i bezdisur prej maskës në fytyrë dhe ka gjetur një mënyrë për të treguar se ajo nuk i mungon ndonëse nuk e  mbron.

Në spitalin e Sëmundjeve të Brendshme familjarët vijojnë ti takojnë të afërmit e tyre të sëmurë me autorizim.

LEXO EDHE: Rekord viktimash nga koronavirusi në 30 ditë, shifra barazohet me 3 muajt e karantinës

Disa me maska e disa jo, por të gjithë shumë pranë njeri tjetrit, pa respektuar distancimin fizik.

E tillë ishte situata në Qendrën Spitalore Nënë Tereza një ditë pasi në Shqipëri u shënua viktima e parë e Covid-19 mes personelit shëndetësor.

Mjeku hematolog Arjan Pushi ndërroi jetë pas trajtimit gati dy javor në spitalin Infektiv dhe sot u përcoll në banesën e fundit nga familja e pak miq.

Pa ceremoni pasi protokolli kundër përhapjes së koronavirusit e ndalon,  por me shumë dhimbje për ikjen e tij dhe mirënjohje për kontributin që la pas.

Në nderim të mjekut 58 vjeçar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Rektori I Universitetit te Mjekësisë Arben Gjata dhe Dekani Xheladin Draçini zhvilluan homazhe në Fakultetin e Mjekësisë.

Fotot i ndau ministrja në rrjetet social bashkë me apelin për të respektuar rregullat kundër Covid-19./abcnews.al