Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, në një intervistë me Endri Xhafon në “Log” ka folur mbrëmjen e të enjtes edhe për marrëdhëniet që ka me deputetët e opozitës. Nikolla tregon se pavarësisht se procedoi procesi i votimit të saj në krye të Parlamentit, ajo i përket asaj kulture që kundërshtarin nuk e sheh si armik.
Edhe në aspektin personal apo njerëzor ajo tregon se kujdeset që në raste ditëlindjesh t’u dërgojë edhe buqeta me lule.
E pyetur nëse është “Asi nën mëngë” i kryeministrit Edi Rama, duke qenë se është një figurë që ka përcjellë qetësi dhe konsensualitet, në mënyrë që punët në parlament të jenë më të neutralizuar, kryeparlamentarja shprehet:
“Nuk dua të komentoj. Jam kontributore në PS. U bë kaq kohë dhe kam përgjegjësinë e lartë që këtë besim që më është dhënë ta kthej duke shërbyer sa më mirë me këtë profil qytetar, etik. Duke kontribuar që sinergjia të jetë vetëm pozitive. Gjithmonë jam kujdesur që të prevalojë fjala e opozitës, të dëgjohet opozita.”
Kurse, sa i përket grisjes së fletëve të votimit nga disa deputetë të PD-së, Lindita Nikolla tha se me atë akt opozita hodhi poshtë fshehtësinë e procesit.
“Grisjen e fletëve, askush nuk mund ta priste mirë. Fakti i qëndrimit ndaj votës nga një opozitë që flet për proces të ndershëm, legjitim e me radhë…hedh poshtë një moment të rëndësishëm, që është fshehtësia. Mënyra sesi e trajton votën.Kisha dy vota…nga ata që zgjodhën t’i referoheshin fshehtësisë së procesit.” /abcnews.al/