I fundosi maska, rrobat dhe përgjimet, si u zbuluan autorët e atentatit të dështuar ndaj biznesmenit

schedule15:18 - 22 Tetor, 2020

schedule 15:18 - 22 Tetor, 2020

Nga Xhensila Kodra

Vëzhgimi i mbi 20 kamerave të sigurisë ka nxjerrë zbuluar një prej katër autorëve të dyshuar për tentativën e vrasjes së biznesmenit Andon Dhima. Megjithatë të katër personat e arrestuar kanë mohuar të jenë pjesë e ngjarjes.

Ndonëse mohojnë akuzën e ngritur ndaj tyre, ata kanë pranuar se me njëri-tjetrin kanë njohje. Të mërkurën, efektivë të konmisariatit numër 2 vunë në pranga 2 autorët kryesorë, 45 vjecarin Grid Leno dhe 35 vjecarin Albin Hoxha. Të arrestuar janë edhe 2 bashkëpunëtorët e tyre, 26 vjeçari Enea Hoxha, vëllai i Albin Hoxhës dhe 30 vjecari Maringlen Matohiti.

Burimet i thanë ABC News, se ata kanë mohuar të japin një dëshmi të plotë, me pretendimin se nuk kanë gjetur avokatë, duke mos pranuar ata të caktuar kryesisht në komisariat.

Por, si u zbuluan 4 autorët e atentatit të dështuar ndaj biznesmenit?

Pasi u larguan me një automjet nga pallati ku banonte Andon Dhima, ata kanë shkuar në banesat e tyre. Dy vëllezërit Hoxha në zonën e Brrylit, e dy të tjerët Leno e Matohiti në zonën e 21 Dhjetorit.

Për të zbuluar mbi identitetin e tyre, policia sekuestroi mbi 20 kamera sigurie, biznesesh e ato të bashkisë të vendosura përgjatë rrugës që përshkruan me makinë autorët e dyshuar.

ABC News mëson se një nga kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur një prej tyre heq maskën e silikonit. Ndërsa tjetri del sërish nga banesa, po me të njëjtën veshje që shfaqej në vendngjarje, pranë pallatit të biznesmenit Dhima.

Një tjetër provë të fortë që prokuroria ka në duar janë edhe përgjimet telefonike të kryera mes 4 të arrestuarve dhe personave të tjerë që mund të kenë pasur djeni për atentatin.

Katër të dyshuarit pritet të dalin të premten në gjykatë për t’u njohur me masat e sigurisë. Mësohet se prokuroria do të kërkojë për ta caktimin e masës së sigurisë arrest në burg.

Pas arrestimit, policia gjeti në banesat e të arrestuarve pistoletën me të cilën autorët do kryenin krimin, automjetin që u larguan nga vendngjarja, maskat e përdorura dhe rroba policie me mbishkrimin RENEA./ db/Abcnews.al