I ftohti “paralizon” SHBA-në/ Raportohen 9 të vdekur, mbyllen shkollat dhe anulohen fluturimet

schedule11:14 - 16 Janar, 2024

schedule 11:14 - 16 Janar, 2024

I ftohti arktik ka përfshirë SHBA-në, me temperaturat që shënuan minus 40 gradë. Rreth 110.000 shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike të hënën mbrëma, shumica prej të cilave në Oregon, shtet që po përballet me ndërprerje të energjisë që nga dita e shtunë.

Zyrtarët e transportit u kanë bërë thirrje banorëve që të shmangin udhëtimet, pasi rrugët janë të rrezikshme nga shtresat e akullit, por edhe mund të ketë rrëzime të pemëve dhe të shtyllave elektrike.

Shkollat janë anuluar për nxënësit në Portland dhe në qytete të tjera të mëdha si Çikago, Denver, Dallas dhe Fort Uorth. Stuhitë dhe temperaturat e ulëta kanë prekur gjithçka nga udhëtimet ajrore, ndeshjet sportive.

Të paktën katër persona kanë vdekur në zonën e Portland, përfshirë dy persona që dyshohet se vdiqën nga hipotermia. Një tjetër burrë vdiq pasi një pemë ra mbi shtëpinë e tij, ndërkaq një grua vdiq nga zjarri që u përhap pasi në stufën e kuzhinës ra një pemë.

Në Uiskonsin, autoritetet po hetojnë vdekjen e tre të pastrehëve, të cilët ka të ngjarë që kanë vdekur nga hipotermia, thanë zyrtarët. Shiu i ftohtë dhe reshjet e borës pritet të “paralizojnë” juglindjen të martën. Ndërkaq, në Misisipi të hënën mbrëma temperaturat shënuan minus 12 gradë celsius.

Për shkak të motit të ftohtë, FlightAware, që gjurmon fluturimet, tha se rreth 2.900 fluturime janë anuluar të hënën në SHBA.

Temperaturat pritet të rriten nga mesi i javës, por erërat e forta janë parashikuar deri në fund të javës.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!