28 vjeçari Klandi Prendi, djali i ish gjyqtarit Fran Prendi, u ekzekutua me armë zjarri pas mesnatës në zonën e Xhamllikut në Tiranë, pasi kishte dalë nga një kafe dhe sa po kishte hipur në automjetin e tij. Sipas informacioneve, i riu kishte pasur së fundmi disa sherre me persona të tjerë, që po hetohen nga policia.
Po kush është Fran Prendi?
Fran Prendi e nisi karrierën në gjykatën e Pukës në 1995. Në vitin 2006, u transferua në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohore ka qenë edhe gjyqtar në GJKKO.
Fran Prendi u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë në vitin 2020, pas nisjes së procesit të vettingut, duke i shpëtuar ‘filtrit’ për pasurinë, integritetin profesional dhe pastërtinë e figurës.
Preni ka qenë gjyqtari në seancën paraprake për shqyrtimin e “Dosjes 339”, me 12 të pandehur, të akuzuar për krijim të grupit kriminal dhe prodhim dhe shitje narkotikësh në bashkëpunim.
Ndër vendimet e bujshme që mbajnë emrin e Prendit është edhe dënimi për grupin e Emiljano Shullazit, në total me 55 vite burg. Ai ishte pjesë e trupës gjykuese që vendosi burg përjetë për Salvatore Lettizia, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015.
Ai ka dhënë vendimin me burg përjetë për Fadil Kasemin që vrau bashkëshorten gjyqtare Fildez Hafizi në 31 gusht 2017 në Tiranë. Fran Prendi njihet edhe si gjykatësi që liroi nga burgu Arben Frrokun, akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamajt./abcnews.al