SHQIPËRI- Notari shqiptar me aftësi ndryshe, Gersi Troka i solli Shqipërisë medalje ari në Lojërat Botërore Olimpike Speciale, të cilat u zhvilluan në muajin qershor në Berlin. Gersi Troka arriti të dalë i pari në garën e notit 200 metra stil i lirë.
Por ky sukses duket se ka kaluar në heshtje pasi Gersi nuk ka marrë vlerësimin e duhur dhe nuk ka përfituar asnjë shpërblim nga institucionet sportive në vend. I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Gersi apeloi për ndihmë te institucionet shtetërore.
Ai tha se personat më aftësi ndryshe duhet të kenë mbështetje ekonomike dhe të përfshihen sa më shumë në sporte.
“Rreth 9 vjet. Po marr pjesë tani në të gjitha llojet e garave. Fitova në garën 200 metra me stil të lirë. Studioj për sport. Unë jam vit i parë. Doja të bëja një mesazh për të gjitha institucionet shtetërore që të mbështesin personat me aftësi ndryshe. Unë do kërkoja të ndihmonin sa më shumë nga ana ekonomike dhe fizike për këta persona. Kam parë shumë persona që nuk janë aktivë dhe nuk merren me sport”, tha ai.
Nëna e Gersit, Merita apeloi për më shumë kujdes jo vetëm për djalin e saj, por të gjithë fëmijët e tjerë, që janë me aftësi ndryshe.
“Gersi është 23 vjeç dhe i thonë 23 vjet që ne luftojmë të përfitojmë të tilla bnenefite nga puna jonë dhe nga interesimi i madh për të arritur rezultate të mira dhe në shoqëri. Në sportin gjithëpërfshirës, në arsim dhe kudo tjetër në jetë”, tha nëna e tij./ n.m.abcnews.al