Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Vlorë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara si dhe në bashkëpunim me zyrat homologe të Interpolit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ombra”.
Si rezultat, në lagjen “Kushtrimi”, u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit:
* Adjol Kushtaj, 38 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 23.11.2023, e ka dënuar me 10 vite burgim, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhim, mbajtje dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Trafikim i narkotikëve” dhe “Krim i kryer në bashkëpunim”, sipas Legjislacionit Penal Italian dhe Ligjit për Narkotikët.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë bashkëpunimin për procedurat e mëtejshme të ekstradimit.



