Luftoi rreth tre javë, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve. I riu shqiptar, Armand Balliu, humbi jetën në një spital në Itali pas një aksidenti që pësoi me 27 Gusht. Teksa po kthehej nga puna me biçikletë pasi mbaroi turnin, 31-vjeçari u rrëzua dhe përplasi rëndë kokën në rrugë.
Duke parë situatën në të cilën ishte në ndihmë të shqiptarit shkoi edhe një helikopter që e dërgoi në spitalin Santa Chiara. Por plagët në kokë rezultuan tragjike për Armandin, duke i shkaktuar vdekjen rreth tre javë pas aksidentit. Për ngjarjen reagoi edhe organizata “Onlus Rini”.
“Sot është një ditë e trishtë për komunitetin shqiptar. Armandi ishte shumë kurajoz, i dashur nga të gjithë, dhe buzëqeshja e tij mund t’i ndryshonte ditën kujtdo që i dilte para”.
Ndërkohë policia ka bërë të ditur se në aksidentin e 27 Gushtit, nuk është përfshirë asnjë mjet tjetër, duke përjashtuar në këtë mënyrë përplasjen nga ndonjë makinë. Armand Balliu punonte si kamerier në një hotel dhe jetonte prej disa vitesh në Riva del Gardo. Trupi i të riut u përcoll për në banesën e fundit këtë të hënë. /abcnews.al