I burgosuri shqiptar vret 66-vjeçarin grek

schedule18:35 - 12 Prill, 2019

schedule 18:35 - 12 Prill, 2019

Një i burgosur shqiptar në Greqi ka vrarë në qeli bashkëvuajtësin grek. Motivet e ngjarjes janë të paqarta, por mediat lokale aludojnë se 55-vjeçari, që do të lirohej brenda pak ditësh, vuante nga probleme mendore.

Një i burgosur shqiptar akuzohet se ka vrarë një bashkëvuajtësin e tij grek në burgun e Trikalas, në pjesën perëndimore të Thesalisë. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së premtes, ndërsa policia lokale shpërndau pasdite vonë një njoftim, ku thuhet se “autori e sulmoi viktimën për shkaqe që ende të paqarta”.

Policia shton se i arrestuari do të dërgohet në prokurorinë e Trikalas, ku do t’i komunikohet akuza dhe masa e mbajtjes në paraburgim deri ditën e gjykimit. Trupi i pajetë i 66-vjeçarit grek u gjet në qeli, ku ai ndodhej që prej një jave bashkë me shtetasin shqiptar, të moshës 55 vjeç.

Sipas mediave lokale, viktima gjeti vdekjen për shkak të goditjeve të njëpasnjëshme në kokë. Mediat helene u referohen burimeve ekskluzive, sipas të cilave, 55-vjeçari kishte probleme mendore dhe se gjatë gjithë kohës para ngjarjes nuk kishte pasur asnjë debat me viktimën.

Ai ishte dënuar me 8 muaj burg për hyrje të paligjshme në Greqi dhe do të lirohej pas disa ditësh. Ndërsa 66-vjeçari vendas vuante një dënim një vjeçar, i akuzuar për trafik lëndësh narkotike./abcnews.al