Edhe një çifteli mund të të kthejë jetën përmbys. Si në rastin e Jeffrey Charest, një amerikan që deri para pak muajsh jetonte në Mbretërinë e Bashkuar. Por në fillim të këtij viti ai mblodhi plaçkat dhe udhëtoi mbi 2700 kilometra për t’u vendosur në qytetin e Rozafës, luleborave e biçikletave…
Intervista e plotë:
Romina: Po të prezantoja si Jeffin amerikan, por tani je bërë Jeffi nga shkodra..
Jeff: Oh këndshëm!
Romina: Të pëlqen prezantimi në këtë mënyrë?
Jeff: Po!
Romina: Po jeton këtu që prej sa kohesh..?
Jeff: 3 muaj!
Romina: Këto kohë të gjithë duan të largohen nga Shqipëria dhe të jetojnë diku tjetër, ndoshta në SHBA… dhe ti lë të gjitha këto dhe vjen për të jetuar në Shqipëri. Përse?
Jeff: Në fakt e lashë Amerikën 8 vite më parë për të ndjekur studimet pas universitare në Mbreterinë e Bashkuar, në Cardiff . I mbarova studimet dhe doja në fakt të qëndroja me gjatë, por shkaku vizës duhet të largohesha. U mora shumë me studimet për muzikën shqiptare dhe gjithnjë ka qënë një ëndërr e imja të vija këtu e të jetoja këtu për ca kohë, të njihja vendin, njerëzit, kulturën… e të shihja si është jeta këtu, si dikush që jeton këtu dhe jo thjesht si turist…
Romina: Një pjesë tjetër, një pjesë interesante e historisë së jetës tënde është që ke studiuar çifteli, përse vallë?
Jeff: Ka qenë komplet rastësi. Babai im ka ardhur në Shkodër në vitin 1992 me një mision fetar. Punonte me disa jetimore dhe spitale dhe ai e dinte që unë i pëlqeja shumë instrumentet e çuditshme muzikore dhe një ditë ai gjeti një çifteli. S’ia kishte idenë se çfarë ishte, por ai mendoi: “Oh djali im mund t’a pelqejë…”, dhe e bleu për mua dhe ma dërgoi në Kaliforni. Kur e nxorra nga kutia thashë: ‘’Çfare është kjo?!” Isha I magjpesur dhe kjo ka ndodhur përpara epokës së internetit dhe nuk kisha burime se ku të merrja me shumë informacion për atë. Më mori 2 vite vetëm për t’a zbuluar si e kishte emrin.
Romina: Si e quaje çifteline para se të mësoje emrin e saj real?
Jeff: Mendoja se do ishte ndonjë tambur Ballkani, pastaj ia dola të gjej disa regjistrime të muzikës me çifteli, u përfshiva komplet dhe fillova të mësoja vetë se si të luaja, thjesht duke dëgjuar dhe duke u përpjekur të përsërisja çfarë dëgjoja…dhe thjesht rashë në dashuri me atë melodi. D.m.th unë luaj në shumë instrumente nga e gjithë bota, por çiftelia seç ka diçka special…si një lloj magjie në tingull. Për një kohë të gjatë po merresha privatisht me çiftelinë në Kaliforni teksa vazhdoja jetën, por po e ndjeja që i vetëm nuk thellohesha dot në studime. Doja të dija më shumë, doja të kuptoja historinë, doja të kuptoja sa të lidhur janë shqiptarët me çiftelinë, të shihja habitatin natyral të saj…
Romina: Kur ka qenë hera e parë që vizitove Shqiperinë dhe cfarë të tërhoqi vëmendjen?
Jeff: Në 2015 kam ardhur për herë të parë. Erdha me një mikun tim nga Cardiff e të dy po studionim etno-muzikalitetin dhe erdhëm këtu për festivalin folklorik në Gjirokastër. Qëndruam atje për një javë prej festivalit dhe pastaj erdha në Tiranë për një javë tjetër dhe takova ca njerëz, bëra ca intervista dhe kërkime.
Romina: Dhe çfarë të thanë? Çfarë zbulove, ndonjë fakt interesant?
Jeff: Po, fola me profesor Pirro Misha dhe ai më tha disa fakte interesante, si për shembull më tregoi për çiftelistin Ndue Shyti. Mendoj se ai ka vdekur disa vite më parë. Ai ishte një nga mjeshtrat e çifteliste në vitet 1960-1970 dhe ai krijoi shumë kompozime në çifteli dhe krijoi gjithashtu orkestren e madhe me instrumentet folklorike shqiptare.
Përveçse është një mjeshtër në çifteli, Jeffin instrumentet muzikore e intrigojnë pa masë, ndaj kurioziteti e shtyn të mësojë sa më shumë prej tyre.
Romina: Ti luan edhe në sharki?
Jeff: Pak po. Por nuk jam aq I mirë sa jam në çifteli..
Romina: Po kush tha që je i mirë në çifteli?
Jeff: Hmm.. unë them, unë them që jam goxha i aftë…
Jeffi ka vizituar edhe qytete të tjera të Shqiperisë, por Shkodra I vodhi zemrën. Ai jeton prej 3 muajsh në një hostel dhe ka filluar të ketë rutinën e një shkodrani të vërtetë.
Romina: Ç’më thua për Shkodrën? Ti ke 3 muaj që po jeton këtu. Cilat janë vendet e para që vizitove, çfarë t’u duk më interesante dhe pse zgjodhe Shkodrën për të jetuar dhe jo Tiranën për shembull?
Jeff: Zgjodha Shkodrën për të jetuar, po! Ka të bëjë me historinë e qytetit, më pëlqente kultura dhe është si të thuash kryeqyteti i Gegërisë. Dhe ky është djepi i çiftelisë në mendjen time. Kështu që mendova që ky do ishte një vend I mirë për t’u rehatuar si në shtëpi dhe të vazhdoja kërkimet e mia..
Romina: A ndihesh si në shtëpi deri më tani?
Jeff: Drejt asaj po shkon… Në njëfarë mënyrë me duket shumë familjare e nga ana tjetër më duket si vend i huaj…për mirë gjithmonë…Më pëlqen shumë se si duket, arkitektura… është një miks interesant mes stilit otoman, italian, ballkanik dhe shqiptar…moderne, e vjeter ..është një qytet shumë unik, s’kam qenë ndonjëherë në ndonjë vend të ngjashëm me Shkodrën.
Romina: A po punon këtu, apo thjesht po shijon jetën apo se di…
Jeff: Po kërkoj për një punë online si mësues anglishteje. Gjate dy muajve të fundit kam qenë shumë I zënë duke punuar me disa artikuj. Dy artikuj akademik për historinë antike të paraardhsëve nga Mesapotamia e Lashtë dhe gjithashtu shkrova një artikull për Kol Idromenon e për pikturat e tij.
Përsa i përket të ardhmes, Jeffi është ende i dyzuar se ku do e çojnë këmbët në vijim. Por ideja e të qëndruarit në Shkodër përgjithmonë po e ngacmon gjithnjë e më shumë.
Romina: Çfarë planesh ke për të ardhmen? Po mendon të krijosh një jetë të re këtu, apo je lodhur që tani dhe do kthehesh përsëri te vendi yt i origjinës, çfarë po mendon?
Jeff: Epo.. në Amerikë nuk dua të kthehem….per shumë arsye…e di u rrita atje e njoh Amerikën shumë mirë dhe…
Romina: Do i ndryshojmë pasaportat bashkë?
Jeff: Epo ndoshta.. (qesh) ..E kam menduar, por se di. Ajo që di është që dua të qëndroj në Evropë. Jam I dyzuar nëse dua të vazhdoj të rri këtu përgjithmonë, por gjithashtu dua të përfshihem në komunitetin akademik në Evropë, në arkeologjinë muzikore.
Romina: E ke provuar t’a tentosh në Shqipëri?
Jeff: Po ka disa mundësi, por për diçka të tillë më duhet të jem I hapur. Ndoshta do përpiqem të fitoj një pozicion të tillë në Hollandë. Se di nëse do e fitoj, por mund të vendos edhe të rri këtu përgjthmonë, se kam vendosur akoma.
Romina: A do të martoheshe me një shqiptare, e ke çuar ndonjeherë nëpër mend?
Jeff: Po e kam menduar..
Romina: Çfarë të tërheq më shumë te gratë shqiptare? Ndoshta pse jo, të krijosh edhe një familje keëtu, s’ka asgjë të çudishme…
Jeff: Jo s’është fare e çuditshme, shumë të huaj e bëjnë këtë gjë!
Romina: S’ke njohur ende ndonjë grua shqiptare?
Jeff: Kam folur me disa po…
Epo Jeff, nëse një ditë do të dashurohesh me një vajzë shkodrane, e sigurt që nga Shkodra nuk do të largohet kurrë…/abcnews.al