I pezulluar me bujë për drogë, polici që vrau 7-vjeçaren në Himarë u rikthye në detyrë nga Gledis Nano. Si e “shpëtoi” kapja prokurorit

schedule22:00 - 2 Gusht, 2022

schedule 22:00 - 2 Gusht, 2022

Efektivi i policisë Arjan Tase i ka provuar prangat në duart e tij vetëm disa muaj pas rikthimit në detyrë me firmë të Gledis Nanos. Vrasja me skaf e 7-vjeçares në plazhin e Potamit në Himarë duket të jetë epilogu i një karriere problematike e policit, i cili ka luksin të shëtisë me skaf, pa patentë në mes të pushuesve.

Siç mëson abcnews.al, Tase është rikthyer në Policinë e Shtetit në fillim të këtij viti pasi ishte shpallur i pafajshëm nga Apeli i Gjykatës së Vlorës për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Tase u “godit” në 14 dhjetor të vitit 2020 në kuadër të operacionit “Hapësira” bashkë me pesë kolegët e tij pasi akuzoheshin nga AMP se kishin bashkëpunuar me grupe kriminale me qëllim kultivimin e lëndëve narkotike në territorin e zonës së mbuluar nga Komisariati i Policisë së Himarës.

Bashkë me Tasen u pezullua edhe shefi i krimeve në këtë komisariat, Artur Veshaj.

Siç mëson abcnews.al, Tase u lirua nga akuzat jo se gjykata e gjeti të pafajshëm, por për shkak se prokurori që kishte bërë dosjen, Maksim Sota, do të arrestohej nga SPAK për korrupsion në kuadër të operacionit “Shpirti”.

Gjykata e rrëzoi çështjen ndaj Tases për mungesë provash, pasi sipas tyre nuk provohej që ish-shefi i Komisariatit të Himarës kishte mbështetur grupet kriminale në zonë.

Në kushtet kur dosja e Tases ishte bërë gati nga një prokuror “me damkë”, gjykatësve të Apelit në Vlorë nuk u mbeti gjë tjetër veç se ta “shpëlanin” Tasen nga akuzat. Ai mori pafajësinë në fillim të këtij viti dhe menjëherë u emërua në një detyrë tjetër nga Gledis Nano.

Lexo KËTU gjithçka mbi tragjedinë e sotme

Tase mbante detyrën e shefit të Policimit në Komunitet në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit deri sa i njëjti person, pikërisht Gledis Nano, që kishte firmosur rikthimin në polici pak muaj më parë, do ta shkarkonte publikisht pak minuta pas vrasjes së 7-vjeçares.

Për ironi të fatit, Arjan Tase, rikthehet me pushime në Himarë, tashmë si ish-shef policia dhe mbi një skaf godet për vdekje një 7-vjeçare.

Policia e Shtetit nuk ka ende asnjë përgjigje mbi pyetjet:

-Në pronësi të kujt ishte skafi që drejtohej nga Arjan Tase?

-Nëse ishte në pronësi të tij, a ka bërë policia një verifikim pasurie për ish-shefin e Policisë së Himarës?

-A ka siguruar të ardhura Arjan Tase nga detyra në Himarë përtej pagës, të cilat të mundësojnë edhe mbajtjen enjë skafi me pushime, kur dihet që pagat e punonjësve të policisë nuk janë më të lartat në vend që të përballojnë lukse të tilla?

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!