Elseid Hysaj është në prag të largimit nga Napoli. Kapiteni i kombëtares shqiptare pëlqehet në Itali, Angli dhe Spanjë. Këtë herë lamtumira duket fare pranë.
Elseid Hysaj mund t’i japë fund etapës së tij napolitane dhe të largohet fare nga Italia. Mbrojtësi i djathtë besohet se pëlqehet nga shumë klube në Itali, Spanjë dhe Angli.
Tabloidi britanik “The Sun” komenton se Mançester United ka kontaktuar Napolin dhe agjentin e Hysajt, Xhufredi, por ka konkurrencë nga Atletikoja e Madridit për mbrojtësin e djathtë.
Po sipas të përditshmes angleze, trajneri Ole Gunar Solskjer e pëlqen shqiptarin për të zëvendësuar veteranin Eshli Jang.
Solskjer ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që marrëveshja për Hysajn të përfundojë deri në 1 korrik, ashtu siç duhet bërë edhe për përforcimet e tjera, në mënyrë që ta ketë skuadrën të plotë për fazën përgatitore.
Në Spanjë, për Hysajn ka vlerësim trajneri i Atletikos, Diego Pablo Simeone, i cili ka nisur rindërtimin e skuadrës. Po ashtu, ekziston mundësia që Juventusi të kërkojë, tani pas ardhjes së trajnerit Sarri, që e ka pasur shqiptarin tek Empoli dhe Napoli. Vetë Hysaj e ka pohuar synimin për t’u larguar.
“Nuk jam ai lloj njeriu që mund të rrijë gjatë në një klub, për mua, koha ime tek Napoli ka përfunduar, dhe shpresoj që të gjej një skuadër që të më japë atë për të cilën kam nevojë”, tha ai, ndërsa ka folur për Supersportin.
Në këtë linjë edhe agjenti i kapitenit të kombëtares shqiptare, Mario Xhufredi.
“Për Hysajn është e sigurt që këtë verë do të largohet nga Napoli”, u shpreh ai.
Mbrojtësi 25-vjeçar luajti rol të rëndësishëm në skuadrën napolitane të Sarrit për dy sezone me radhë, duke u vlerësuar si një nga më të mirët në Serinë A në rolin e tij.
Gjithsesi, nën drejtimin e trajnerit të ardhur vjet, Karlo Ançeloti, ai pati më pak hapësirë. Hysaj ka një klauzolë transferimi prej 55 milionë eurosh, ndonëse oferta e United, për momentin, mund të jetë deri në 25 milionë./ABC News Albania 24/7