Hyrja në SEPA/ Eksperti në “Money Report”: Çfarë përfiton ekonomia shqiptare nga ky proces

schedule14:36 - 29 Maj, 2024

schedule 14:36 - 29 Maj, 2024

TIRANË- Anëtarësimi  i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) pritet të sjellë lehtësi në kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë.

SEPA i bën pagesat ndërkufitare midis vendeve anëtare në të po aq të thjeshta dhe të lira sa pagesat brenda vendit.

Me pjesëmarrjen në SEPA, mundësohet zbatimi i parimit të tarifave të barabarta, si për pagesat kombëtare, ashtu edhe për ato ndërkufitare të përpunuara në mënyrë elektronike në euro.

Në kushtet aktuale, transfertat dhe pagesat me vendet e Bashkimit Europian dhe anasjelltas kryhen nëpërmjet bankave korrespondente, që përfaqësojnë një kanal të kushtueshëm dhe joefikas për sa i përket kohës së ekzekutimit të transaksionit, monitorimit të finalizimit të tij, transparencës së kushteve të punës dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Drejtor i Shoqatës së Zyrave të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj, i ftuar në “Money Report” u shpreh se përfshirja në këtë sistem do krijojë lehtësira.

“Kemi prezencë të madhe të eurove. Sektori i ndërtimit, turizmi, mbetën në dominancën e monedhës euro. Kemi transfertë të larta në numër, por edhe në volum. Ne kemi 6-7 miliardë të transaksioneve, e cila përkon me rrethe 50% e GDP. Aksesi në SEPA na mundëson kryerjen e transaksioneve në euro më shpejt, dhe përfshirja në këtë sistem është garanci për vetë institucionet bankare. Flasim për kohë më të shpejtë, kosto më të ulët dhe siguri më e lartë”, u shpreh ai.

Ai theksoi se industria financiare suksesin kryesor e ka në përdorimin e kohës me efikasitet dhe në këtë pikë, prezenca në SEPA, do ketë impakt të përgjithshëm në ekonominë e Shqipërisë.

“Në tërësi përfiton ekonomia. Ne flasim për një industri financiare ku ka rëndësi minuta dhe jo më dita. Shqipëria po hyn në tregjet ndërkombëtare dhe po bëhet kompetitive në sektorët e saj. Ndikon turizmin, importet, eksportet, qytetarët e thjeshtë”, theksoi ai.

Shqipëria do të aplikojë për t’u bërë pjesë e sistemit në muajin qershor, ndërsa Guvernatori i Bankës qendrore, Gent Sejko, tha se nga ky proces do kursehen 20 milionë euro, shumë kjo që sot shkon si pagesë në tarifat e transfertave./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!