Hyn në fuqi Marrëveshja e Prespës

schedule23:45 / 12/02/2019

Qeveria maqedonase shpërndau për herë të parë të martën një komunikatë për shtyp, e cila mbante emërtimin e ri të vendit, Maqedonia e Veriut. Dërgimi i komunikatës është një sinjal se Marrëveshja e Prespës e arritur qershorin e kaluar me Greqinë ka hyrë në fuqi.

“Njoftojmë se janë plotësuar kushtet për hyrjen në fuqi të atyre amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të miratuara në Kuvend më 11 Janar të vitit 2019”, thuhet në komunikatën zyrtare.

Hyrja në fuqi e amendamenteve që rrjedhin nga akordi me Athinën është publikuar edhe në gazetën zyrtare të qeverisë.

“Në këtë mënyrë fillon përmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja”, vijon më tej komunikata.

Ndërkohë, edhe ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov njoftoi në profilin e tij në Twitter se, nga Greqia ka mbërritur nota verbale dhe se marrëveshja e Prespës hyn automatikisht në fuqi.

“Ky është fillimi i një miqësie të gjatë mes dy fqinjëve”, komentoi Dimitrov./abcnews.al

schedule23:45 / 12/02/2019