Pas publikimit në Fletoren Zyrtare, sot kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Penal, të cilat ashpërsojnë dënimet për një sërë veprash penale siç janë keqtrajtimi i kafshëve, zënia e rrugëve, dhunë në ndeshje sportive apo cënimi i sigurisë ushqimore.
Ndërkohë, mbajtja e qenve të rracave agresive pa maska në parqe, lagje dhe rrugë është kthyer në një problem të madh për banorët e qyteteve shqiptare.
Ka patur mjaft raste kur qytetarë të ndryshëm, madje edhe fëmijë janë kafshuar nga qen të tillë duke i shkaktuar dëme të mëdha fizike.
Sipas ndryshimeve në Kodin Penal,. në rast se një qen kafshon dikë, pronari i tij dënohet me gjobë deri në 6 muaj burg nëse kemi të bëjmë me dëme fizike. Por, nëse i kafshuari humb jetën për shkak të sulmit nga qeni, atëherë pronari dënohet deri në pesë vite burg sipas ndryshimeve të reja në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Ndryshimet gjithashtu parashikojnë gjoba të majme për pronarët e qenve që shëtisin në qytet pa maskë si edhe nëse ata i braktisin apo keqtrajtojnë kafshët. Ndalohet ndërkohë ndeshja me qen, duke u ndëshkuar me gjobë deri në tre muaj burg për ata që i organizojnë. /abcnews.al/