Hyn në 5 fuqi “5 qershori”, anëtari i KQZ: Përplasjet politike na vunë në pozita të vështira

schedule10:47 - 19 Gusht, 2020

schedule 10:47 - 19 Gusht, 2020

Ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor të arritura në marrëveshjen politike të 5 qershorit kanë hyrë zyrtarisht në fuqi ditën e sotme, 15 ditë nga botimi në fletoren zyrtare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një prej hallkave kryesore të administrimit të zgjedhjeve do të marrë një formë tjetër me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve.

Tashmë ai do të përbëhet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Rregullatori dhe Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve që presin të plotësohen me anëtarë pas thirrjes së Kuvendit.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Bledar Skënderi ka publikuar ndryshimet e reja ku thuhet se ai dhe pjesa tjetër e trupës së KQZ-së do të qëndrojnë në detyrë deri në ditën e zgjedhjes së Komisionerit.

Skënderi thotë se trupa e KQZ-së u vu në pozita shumë të vështira për shkak të përplasjeve politike, duke u shprehur u përpoqën të menaxhonin situata deri absurde!

“Sot hyjnë në fuqi ndryshimet e Kodit Zgjedhor! Sipas dispozitave të reja mandati i antarëve aktualë ndërpritet,por qëndrojmë në detyrë deri ditën e zgjedhjes së Komisionerit !
Përplasjet politike të forta e vunë trupën e KQZ-së në situata shumë të vështira! Ne u përpoqëm të menaxhonim situata deri absurde!

Ndoshta sikundër tha dhe Shefja e misionit te OSBE-ODHIR Audrey Glover u treguam pak”Kreativë”!
Gjithsesi jam absolutisht i bindur që kemi bërë më të mirën për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë!

Jam krenar se punova si pjesë e një trupe nga më profesionistet që ka patur ndonjëherë KQZ. Një falenderim të veçantë kam për të gjithë stafin e institucionit!

I uroj Komisionerit,Ndihmës Komisonerit,dhe dy trupave të reja që do të zgjidhen punë të mbarë!”, shkruan Skënderi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!