Brukseli ka nisur zbatimin e masave reciproke ndaj Shteteve të Bashkuara, duke taksuar më shtrenjtë produktet amerikane që hyjnë në BE. Presidenti Juncker ka deklaruar se Unionit i duhet të ruajë balancat tregtare të cënuara nga administrata Trump.
Bashkimi Europian ka futur në fuqi të premten anti-tarifat ndaj produkteve amerikane. Sikurse ishte paralajmëruar, të parat që janë prekur janë uiski, motoçikletat dhe lëngu i portokallit. Vlera e tarifave të vendosura nga Unioni si reagim ndaj rritjes së tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar nga Shtetet e Bashkuara arrin në 2.8 miliardë euro.
Në një reagim, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka deklaruar se tarifat e vendosura nga Uashingtoni shkojnë përtej çdo logjike dhe historie. Duke folur në Parlamentin irlandez në Dublin, Juncker ka shtuar se Brukseli do të bëjë gjithçka që mundet për të ruajtur balancën tregtare. Por përmes një postimi në rrjetin social Twitter, presidenti Trump ka kërcënuar me tarifa të tjera, duke përmendur si shembull rritjen e taksave për makinat e importuara nga BE.
“Nëse këto tarifa nuk hiqen menjëherë, atëherë ne do të vendosim 20 për qind tarifa për të gjitha automjetet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar Trump.
Në Qershor, administrata amerikane nisi aplikimin e tarifave prej 25 dhe 10 për qind për çelikun dhe aluminin e importuar, një lëvizje kjo që detyroi vende të ndryshme të globit, si Meksika, Kanadaja, Argjentina, Brazili, por edhe Australia, Korea e Jugut dhe India të paralajmërojnë aplikimin e masave reciproke për produktet amerikane, që pritet të hyjnë në fuqi së shpejti./abcnews.al