“Hyatt” vjen në Shqipëri, Kastrati sjell hotelin e parë me 5 yje

schedule15:44 - 6 Dhjetor, 2018

schedule 15:44 - 6 Dhjetor, 2018

“Kastrati Group” ka sjellë në Tiranë të gjithë eksperiencën dhe menaxhimin në fushën e hotelerisë, të kompanisë gjigante amerikane “Hyatt Hotels Corporation”, me seli në Chicago. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Është Kastrati Group që i jep Shqipërisë të parin hotel me 5 yje.

Standardet më të larta të hotelerisë vijnë në Shqipëri falë bashkëpunimit të këtij “brand”-i të famshëm amerikan me “Kastrati Group”, për të menaxhuar pikërisht ambientet e ish-Hotel Sheratonit, pasi bleu “Mak Albania”-n.

Në kujdesin e Kastrati Group është organizuar një ceremoni ekskluzive me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së menaxhimit me Hyatt Hotels Corporation.

Hoteli “Hyatt Regency and Residences Tirana” do t’i japë kryeqytetit shqiptar një tjetër pol atraksioni, kombinuar me stadiumin e ri dhe gjithë zonën rreth e rrotull tha kryeministri Edi Rama.

Rama: “Duke i uruar sukses në këtë bashkëpunim kompanisë së njohur shqiptare me kompaninë e njohur globale, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të falënderoj ata që e bënë të mundur këtë marrëveshje. Uroj që shumë shpejt të jeni të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes së radhës me një tjetër brand global në funksion të fuqizimit të industrisë dhe rritjes së besueshmërisë së vendit tonë, i cili i ka të gjitha ato që i duhen për t’u kthyer në një aktor të rëndësishëm në këtë pellg të turizmit”.

Tashmë Shqipëria ka edhe një pasaportë të artë për turizmin elitar në Shqipëri.

Rama: “Jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi ende një hotel me 5 yje, që janë elita e industrisë së turizmit. Tashmë jemi në nisje të një projekti gjigant për sjelljen e Hyatt, që do të lërë në harresë njëherë e mirë edhe lotët e atyre që u pikëlluan kur u largua Sheratoni. Në fakt, as ai nuk ishte një hotel i mirëfilltë me 5 yje, pavarësisht pretendimeve”.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi vuri në dukje se këto brande udhëheqin rritjen e cilësisë në të gjithë atmosferën e turizmit shqiptar.

Klosi: “Ne jemi këtu në këtë ceremoni në Sheraton, ku ky hotel ikonë e zhvillimit të turizmit shqiptar në periudhën e transformimit vjen në Shqipëri me një menaxhim të ri, me një investim te ri falë vizionit dhe urtësisë, largpamësisë së “Kastrati Group”, ne kemi mundësinë të nënshkruajmë me një nga emrat më të mëdhenj të politikave të turizmit në të gjithë rajonin tonë”.

Ndërthurja e eksperiencave të suksesshme të Katrati Group me gjigandin Hajat janë garancia më e mirë për hotelin e parë parë me 5 yje që hapet në Shqipëri. /abcbnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!