Hungaria, vendi i parë në BE që përdor vaksinën kineze anti-Covid

schedule14:22 - 24 Shkurt, 2021

schedule 14:22 - 24 Shkurt, 2021

Hungaria është i pari vend anëtar i Bashkimit Europian që përdor vaksinën kineze të Sinofarm kundër Covid-19.

Vaksinimi ka nisur këtë të mërkurë, dhe u konfirmua me anë të një mesazhi të shkurtër në Facebook nga kryeministri i vendit Viktor Orban. Miratimi i ekspertëve hungarezë për përdorimin e vaksinës kineze u bë që në datë 29 janar. Vendi ka marrë 5 milion vaksina nga Sinofarm, të mjaftueshme për të imunizuar 2.5 milion persona në një popullsi prej 10 milion banorësh. Vaksina kineze nuk është miratuar ende nga Agjenca Mjekësore Europiane. Vendimi për nisjen e vaksinimit është në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për të kufizuar atë që e cilësojnë si valën e re të infektimit me koronavirus që ka përfshirë vendin. Me anë të një dekreti qeveritar u vendos që të vaksinohet të paktën 1 milion hungarezë pa qenë nevoja që vaksina të kalojë nëpërmjet rregullatorit mjekësor të vendit.

Zyrtarë hungarezë, përfshirë kryeministrin Viktor Orban, kanë qenë kritikë për programin e Bashkimit Europian për vaksinimin e përbashkët, duke kritikuar ngadalësimin e shpërndarjes së dozave që sipas tyre po shkakton viktima.

Një muaj më parë Orban u shpreh se nëse vaksinat nuk do të vijnë nga Brukseli, atëherë do të merreshin diku tjetër. Ai theksoi se hingarezët nuk mund të vdesin se pse Brukseli është i ngadaltë në gjetjen e vaksinave.

Bashkimi Europian ka firmosur kontrata kolektive për dt bilion doza vaksinash anti Covid me kompani farmaceutike europiane dhe amerikane, por vendet anëtare lejohen që të firmosin marrëveshjet e tyre jashtë këtyre kontratave. Hungaria gjithashtu është vendi i parë europian që ka firmosur marrëveshje për furnizim me vaksinën ruse Sputnik V. Pas një marrëveshjeje mes Budapestit dhe Moskës, Rusia do të dërgojë dy milion doza – mjaftueshëm për vaksinimin e një milion hungarezëve.

Personeli shëndetësor ka nisur vaksinimin në fillim të miajit shkurt. Sipas Orban me anë të vaksinave ruse dhe kineze do të mund të imunizohen miliona hungarezë deri në fund të muajit maj.

Vetë Orban ka thënë se do të përdorë vaksinën ruse pasi i beson më shumë. Ai shtoi se kinezët e njohin më mirë virusin dhe e dinë se cila vaksinë është më e mira.

Vaksina e sinofarm, e cila sipas krijuesve të saj është 80% efikase, përdoret dhe në Serbi, ku janë vaksinuar rreth 500 mijë persona./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!