Hungaria ka dalë kundër kandidimit të kryeministrit Mark Rutte për postin e Sekretarit të ardhshëm të NATO-s. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka thënë gjatë një konference për shtyp se vendi i tij nuk do të mbështesë kryeministrin holandez.
Rutte i cili është në krye të shtetit holandez, tashmë ka fituar mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare të NATO-s.
Holanda gjatë viteve të fundit është ndër vendet më të zhurmshme brenda BE-së, që ka ngritur zërin mbi frikën se Hungaria është duke “rrëshqitur” nga demokracia.
Në vitin 2020, kryeministri hungarez Viktor Orban tha se “nuk e di nëse për arsye personale e urren kryeministri holandez atë apo Hungarinë”. Ndërkaq një vit më vonë në një samit kur ishin rritur tensionet mes liderëve për shkak të ligjit kundër LGBT në Hungari, Rutte pati thënë se Hungaria duhet të respektojë të drejtat fondamentale ose të largohet.
“Qëllimi im është ta gjunjëzojë Hungarinë lidhur me këtë çështje”, tha Rutte asokohe.
“Ne nuk e mbështesim zgjedhjen e personit në pozitën e të parit të NATO-s i cili më parë ka dashur ta detyrojë Hungarinë të gjunjëzohet”, tha Szijjarto.
/abcnews.al