Budapesti mbetet kundër vendosjes së një embargoje të BE-së për naftën dhe gazin e importuar nga Rusia. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs.
“Qëndrimi i Hungarisë në lidhje me çdo embargo të naftës dhe gazit nuk ka ndryshuar, ne nuk i mbështesim,” thotë ai.
Kujtojmë se vendosja e një embargo totale ndaj dy lëndëve djegëse fosile ruse po shqyrtohet aktualisht nga Komisioni i BE-së për t’u përfshirë në raundin e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës. Ministrat e Energjisë së BE-së shpresojnë të arrijnë një qëndrim të bashkuar për gazin dhe naftën ruse nëpërmjet një sërë bisedimesh urgjente këtë javë.
Megjithatë, Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck pranon se nuk ka një pikëpamje unanime midis 27 vendeve të bllokut për mbylljen e furnizimeve me energji ruse. Moska vazhdon të deklarojë se blerësit e huaj të gazit duhet të paguajnë në bankën e saj private, Gazprombank, e cila do të konvertojë çdo dollar ose euro në rubla.
Komisioni Evropian sugjeron se vendet evropiane që përmbushin kërkesat bankare të Moskës mund të shkelin sanksionet e BE-së. /abcnews.al/