Nga Hugo Blewett-Mundy, euobserver
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Sukseset e forcave të armatosura të Ukrainës në territorin që Rusia kishte kontrolluar që nga fillimi i krizës në vitin 2014, shënojnë një pikë kthese dramatike në këtë luftë.
Forcat ruse duket se janë në prag të humbjes. Në këtë mënyrë, paparashikueshmëria e këtij konflikti do të thotë se kundërofensiva e Ukrainës duhet të merret parasysh.
Vladimir Putin ka thënë se planet e Rusisë nuk do të ndryshojnë si rezultat i përparimeve të Ukrainës dhe këmbënguli se ofensiva ruse në Donbas mbetet në rrugën e duhur.
Kanë kaluar pothuajse shtatë muaj që kur presidenti rus përshkallëzoi krizën ukrainase në një pushtim të plotë. Në atë kohë, u bë e qartë se ai nënvlerësoi dy gjëra.
Së pari, guximi dhe vullneti i vetë popullit ukrainas për një rezistencë të ashpër ndaj aktit të paprovokuar të agresionit.
Së dyti, vendosmëria e NATO-s dhe partnerëve të saj për të ruajtur mbështetjen e saj politike, ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës.
“Operacioni special ushtarak i Putinit”, i cili synonte “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës, përballet me perspektivën reale të humbjes. Forcat e armatosura të Ukrainës kanë shënuar suksese në rajonin verilindor të Kharkiv. Ata kanë rimarrë qytetet me rëndësi strategjike, Kupyansk dhe Izyum, të cilat kjo e fundit Rusia i ka përdorur si një stacion kryesor ushtarak.
Ky kundërsulm i rrufeshëm përfaqëson një përsëritje të dështimit të Rusisë në fazën fillestare të luftës për të pushtuar Kievin. Pasi humbi betejën për të marrë kryeqytetin ukrainas, Rusia ripërcaktoi qëllimin e operacionit të saj me qëllimin e deklaruar për të ‘çliruar’ Donbasin.
Ndryshimi i situatës ushtarake do të thotë se qëllimi tani duket gjithnjë e më i pasigurt. Ukraina e ka gjetur veten në një pozicion të favorshëm për të shkëputur forcat ruse nga veriu dhe për të shënuar fitore të mëtejshme territoriale drejt lindjes, raporton abcnews.al.
Rruga për në Luhansk tashmë ka filluar të hapet për forcat ukrainase pas suksesit përgjatë lumit Oskil.
Pavarësisht përparimeve të jashtëzakonshme të Ukrainës, një disfatë ruse nuk do të përkthehej domosdoshmërisht në ndryshim regjimi në Moskë. Ka të ngjarë që Putini do të përpiqet t’i shndërrojë pengesat e tij ushtarake si dëshmi të asaj që Kremlini e percepton si një kërcënim ekzistencial me të cilin përballet Rusia.
Prosperitet, gënjeshtra dhe frikë
Analisti politik, Adam Przeëorski tha se ekuilibri autoritar mbështetet në tre shtylla: prosperiteti ekonomik, gënjeshtra dhe frika.
Presidenti rus siguroi popullaritetin e tij gjatë periudhës së çmimeve të larta të naftës dhe reformës ekonomike në vitet 2000. Megjithatë, me kalimin e kohës, rritja ekonomike e Rusisë ka vuajtur nga korrupsioni dhe konkurrenca e kufizuar nën autoritarizmin e Putinit. Dy vite përpara se Putini të niste sulmin në shkallë të plotë ndaj Ukrainës, të ardhurat reale të familjeve në Rusi ishin 7% nën kulmin e tyre në vitin 2013.
Në pamundësi për të ofruar prosperitet ekonomik për popullin rus, Putini është mbështetur në dy shtyllat e tjera të teorisë së Przeworskit – frikën dhe mashtrimin për të përjetësuar sistemin e tij politik të centralizuar. Për Putinin, këto dy shtylla mund të përdoren duke mbështetur luftën në Ukrainë.
Ky kufizim i autoritarizmit mund të shihet në përgjigjen e Kremlinit ndaj kundërsulmimit të Ukrainës.
Rusia do të vazhdojë derisa “të gjitha qëllimet e saj ushtarake” të jenë përmbushur, përkatësisht mbrojtja e popullsisë etnike ruse në Donbas nga pretendimi i rremë për gjenocid.
Qëndrueshmëria e paranojës në qendër të shtetit rus duhet të kërkojë një rivlerësim të përgjigjes së Perëndimit ndaj luftës në Ukrainë. Deri më sot, ndërhyrja e Rusisë është përballur me një dislokim të forcave të NATO-s në Europën Lindore në një shkallë që nuk është parë që nga kulmi i Luftës së Ftohtë.
Në periudhën midis tetorit 2021 dhe marsit 2022, numri i trupave nën kontrollin e drejtpërdrejtë të NATO-s është rritur nga 4,000 në 40,000. Nevoja për të forcuar aftësitë e vendeve anëtare të NATO-s për t’i bërë ballë përdorimit të Rusisë të luftës konvencionale është arsyetimi i aleancës për praninë e saj të intensifikuar të sigurisë, raporton abcnews.al.
Për sa i përket Putinit, mobilizimi i shpejtë i NATO-s në përgjigje të pushtimit në shkallë të plotë përputhet me shtyllat e frikës dhe mashtrimit të Przeëorskit që po mbajnë gjallë sistemin e tij autoritar.
Prania e NATO-s përforcon narrativën e rreme të presidentit rus për nevojën për një shtet të sigurt në përgjigje të synimeve kërcënuese të Perëndimit ndaj Rusisë.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, shumë rusë iu drejtuan Rusisë së Kievit si burim për identitetin e tyre kombëtar.
Është shteti ortodoks ku rusët, bjellorusët dhe ukrainasit e sotëm mund të gjurmojnë për origjinën e tyre.
Për Putinin, afërsia e NATO-s me kufijtë e Rusisë përfaqëson një tjetër përpjekje të forcave armiqësore për të minuar atë që rusët e shohin si pretendimin e tyre ekskluziv për të trashëguar tokat e Rusisë së Kievit.
Në njoftimin për “operacionin special ushtarak”, presidenti rus iu referua zgjerimit të NATO-s drejt lindjes pas përfundimit të Luftës së Ftohtë si “kërcënime themelore, të cilat politikanët e papërgjegjshëm perëndimorë i krijuan për Rusinë në mënyrë të vazhdueshme.
Për të thyer këtë cikël frike që Putin përdor për të nxitur luftën e tij, liderët perëndimorë duhet të fillojnë të rishqyrtojnë politikën e tyre ndaj Rusisë me qendër në NATO.
Duke lëvizur përtej konfrontimit si parimi udhëheqës i marrëdhënieve Lindje-Perëndim, mund të krijohen kushte për të zhbërë shtyllat e frikës dhe mashtrimit që mbështesin kontrollin e Putinit.
Një nga pasojat e padëshiruara të rënies së Bashkimit Sovjetik ka qenë sfida për NATO-n për të ripërcaktuar vendin e saj në sistemin ndërkombëtar shumëpolar në zhvillim, raporton abcnews.al.
Aleanca nuk mund t’i drejtohet më kërcënimit sovjetik si justifikim për ekzistencën e saj.
Kjo do të thotë se përfundimi i dhunës në Ukrainë do të kërkojë llojin e lidershipit dhe të qeverisjes që u ushtrua në mënyrë kaq efektive gjatë viteve të fundit të Luftës së Ftohtë.
Detyra për të rivendosur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës kërkon një vlerësim serioz të Perëndimit dhe marrëdhënies së tij me një fuqi në rënie dhe revizioniste në Rusinë e Putinit.
Potenciali i poshtërimit të presidentit rus në Ukrainë nuk do të mjaftojë për ta ndaluar atë.
/abcnews.al