Pas lajmit se Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015, kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza ndaj PD-së dhe Presidentin Meta, duke i cilësuar reagimet e këtyre të fundit, si të neveritshëm.
Postimi i Ramës: “Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon! Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt!”
Lexo edhe: Humbja e gjyqit me Becchettin, Meta: Avokatura e Shtetit më gënjeu
I menjëhershëm ka qenë edhe Reagimi i Partisë Demokratike të cilët kanë thënë se shumë shpejt Rama do largohet dhe Shqipëria do të ketë një qeverisje të përgjegjshme.
Reagimi i PD-së:
Edhe në ditën kur i duhet të përballet me dështimin e radhës, Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se sulmon PD dhe opozitën. Shqipëria ngeli në baltë me Ramën për 8 vjet- ky është fakt, sikundër mbetet po fakt që shqiptarët duhet të paguajnë 4560 lekë të reja nga xhepi, këtë herë për shkak të arrogancës së Edi Ramës. Është koha për ndryshim, që Shqipëria të ketë një qeverisje të përgjegjshme. Këtë do ta vendosin shqiptarët me votën e tyre në 25 prill. Ditën kur Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë. E.L/abcnews.al/