Humbi shikimin, e para me doktoraturë! Historia prekëse: Kisha frikë verbimin e djalit

schedule18:26 - 18 Prill, 2022

schedule 18:26 - 18 Prill, 2022

Valmira Berisha është personi i parë me aftësi ndryshe që ka fituar statusin Doktor Shkencash në Kosovë, në Drejtësi. Berisha vuan nga sëmundja retinopatia pigmentosa dhe për pasojë ka humbur shikimin në moshën 12 vjeçare, por kjo nuk e ka ndaluar që të arrijë sukseset e saj në jetë. E ftuar në ‘Abc e Pasdite’ me Ermal Peçin, ajo rrëfeu historinë me të gjitha vështirësitë derisa arriti të bëhej zëri i individëve me të njëjtat problematika si ajo.

Valmira shprehu se kurrë nuk e kishte parashikuar një të ardhme të tillë për jetën e saj, madje tregoi dhe një nga momentet më të vështira kur në moshë tepër të vogël, së bashku me motrën që vuan nga e njëjta sëmundje, iu desh të largohej nga gjiri familjar për të studiuar në një shkollë speciale në Pejë.

“Pas u diagnostikova me sëmundjen së bashku me motrën e vogël, na dërguan në Pejë në shkollën speciale për të verbrit. Gjithë familja u mblodh për të na përcjell, dhimbja e prindërve, babi qante aq shumë dhe duke e parë atë vendosa që unë nuk qaj më. Prindërit u kthyen në Prizren dhe motra teksa vinte nata kërkonte nënën.” – shprehu juristja.

Një jetë e mbushur me vështirësi dhe paragjykim, nga ana e bashkëmoshatarëve dhe njerëzit që e rrethonin e deri te ato të mësuesve dhe pedagogëve. Por Valmira nuk u ndal dhe sot është drejtuese e një organizate në ndihmë të personave me aftësi ndryshe.

“Padyshim që jam paragjykuar dhe vazhdoj të paragjykohem. Njerëzit mendojnë se unë dal për veten time, por unë e bëj se nuk kam zgjidhje tjetër. Shoqëria duhet të ndërgjegjësohet me dalje të tilla që njerëzit si unë mos të shihen si lëmoshë.”

Por ndër sfidat më të mëdha me të cilat Valmira është hasur, ishte pikërisht sjellja në jetë e djalit të saj. Një gëzim i madh për familjen e sapo ndërtuar, por djali lindi gjithashtu me problem të shikimit. Pas shumë përpjekjesh dhe mjekimesh, ai sot mund të shoh por ende rrezikon.

“Edhe djali vuan nga problem i syve. Ai ka qenë total i verbër deri në 3 muaj, pas mjekimeve dhe trajtimeve në Turqi. Sot për fat i është kthyer shikimi por mjekimet dhe intervenimet e herëpashershme janë të nevojshme. Ky është gëzimi më i madh i jetës sime. Asnjëherë nuk kam menduar diçka të tillë. Prindërit nuk kanë asnjë në familjet e tyre me një sëmundje të tillë. Më dhimbset kur mendoj se ai duhet të kalojë të njëjtat sfida që kam kaluar edhe unë, por kam gjetur forcën.” /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!