Besimi tek ai mbetet maksimal. Jo më kot e ka emrin Milot Rashica dhe është lojtari më i talentuar i Verderit sot për sot. Sot do të ketë përballë rivalin më të madh të mundshëm në Bundesliga, Bayern Munich.
Djaloshi 23-vjeçar nga Kosova, pavarësisht nga mrekullitë e bëra sezonin e kaluar dhe gjatë këtij kampionati deri në ndërprerjen për shkak të koronavirusit, nuk po kalon momentin e tij më të mirë. Rashica humbi penalltinë, që iu besua në ndeshjen që ekipi nga Bremeni luajti në fushën e Paderborn, që e fituan 5-1.
Gabimi i shqiptarit të Kosovës nuk ndikoi tek ekipi, por mos vallë mund të ketë ndikuar në statusin e tij te Verderi? Trajneri Florian Kohfeldt, as nuk e diskuton këtë gjë.
“Unë besoj se Miloti do të vazhdojë të ekzekutojë penalltitë tona, – tha Kohfeldt, para duelit ndaj Bayern, – ai do të jetë njeriu që do t’i gjuajë. Nuk duhet t’i japim më shumë rëndësi sesa duhet penalltisë së humbur në Paderborn, janë gjëra që u ndodhin të gjithë lojtarëve, edhe atyre më të mirëve në botë”.
Bilanci i Rashicës nuk është shumë i keq, pasi ka shënuar 4 e humbur 2, ndërsa shoku i tij, Davi Klasen, ka shënuar vetëm 1 në 3. Fitorja 5-1 bëri që Verderi të ketë shpresë për mbijetesë në Bundesligë, duke qenë ende në zonën “e ftohtë” me 28 pikë, barazim me Fortuna Dusseldorf, që mban vendin e 16-të (vendin që të çon në e play out) falë golaverazhit më të mirë.
Vetë Rashica po zhvillon një sezon mjaft të mirë, me 7 gola e pesë asiste deri tani, ndërsa Bayern mund të thuhet se e ka si viktimë të preferuar, pasi i ka shënuar 2 gola, dhe që të dy shumë të bukur, me aksione individuale. /abcnews.al