Humbi jetën në dhomën e gjumit: Përcillet për në banesën e fundit Rezarta Hajdari

schedule14:00 - 16 Dhjetor, 2019

schedule 14:00 - 16 Dhjetor, 2019

I është dhënë sot lamtumira e fundit Rezarta Hajdarit. 19-vjeçarja humbi jetën tre ditë më parë në dhomën e saj të gjumit, 5 ditë pasi ishte martuar, në fshatin Xhyrë të Librazhdit.

Familjarët mes lotësh kanë përcjellë për në banesën e fundit të renë, vdekja e të cilës mbetet ende mister.

Rezarta u gjet e vdekur nga familjarët e bashkëshortit të saj, Olsi Hajdari, ndërsa ky i fundit u dërgua në gjendje të rëndë në spital. 27-vjeçari qendroi dy ditë në koma, ndërsa mbrëmjen e djeshme u kthye në shtëpinë e tij në gjendje të stabilizuar.

Në një prononcim për Abc News, Olsi u shpreh se nuk mban mend asgjë nga ajo që ka ndodhur. Ndërsa kujton se atë natë pasi kishin ngrënë darkë, kishin marrë në dhomën e tyre mangall për tu ngrohur.

Po ashtu edhe familjarët e Olsit pretendojnë se çifti u asfiksua nga mangalli, çka solli edhe vdekjen e Rezartës.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk pranohet nga familjarët e viktimës, të cilët kërkojnë të zbardhet e vërteta, ndërsa kanë bërë denoncim në polici.

Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes së të resë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!