Pak ditë më parë, u mbajt Kampionati Ballkanik Për të Rinj me grupmoshat U 18-U 8 I që u zhvillua në Cetinje të Malit të Zi. Ai u organizua për tre kampionate të ndara në tre disiplina Standart, Rapid dhe Blitz. Mes 13 shahistëve të rinj që përfaqësuan ekipin shqiptar, triumfoi Ergit Ramaj me një medalje ari.
Ai u shpall Kampion Ballkani U14 në të tria disiplinat e shahut: standart+rapid+ blitz. Të ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”, trajneri i Ekipit Kombëtar të të Rinjve, Lorenc Ramaj dhe djali i tij, Ergit rrëfyen emocionet e kësaj fitoreje. Lorenci tha se ka përjetuar më shumë emocione si trajner aq më tepër ku luante djali i tij.
“Ndihem shumë mirë dhe i lumtur. Kam filluar shah që kur isha 6 vjeç. Më mësoi babai. Kompeticioni i parë ka qenë në moshën 8 vjeçare në kampionatin e të rinjve dhe më pas jashtë shtetit kam marrë pjesë në Mal të Zi dhe atje dola mirë.”, u shpreh kampioni i tre medaljeve të arit.
Ndërkohë, lojtari tjetër Ajki Nurka foli për momentin kur shpërtheu në lot pasi humbi për një lëvizje. Në një video, ai shihet duke qarë ndërsa shpjegon se si humbi mundësinë për të fituar pasi nuk kishte më kohë të bënte lëvizjen që do t’i jepte fitoren.
/abcnews.al