Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka ndërprerë seancën plenare për 15 minuta pasi deputetja Rudina Hajdari vijoi që të refuzonte që të largohej nga foltorja e Kuvendit.
Hajdari ka ngritur zërin ndërsa foli në Kuvend duke kërkuar që seanca e sotme plenare të ndalet pasi e konsideroi si të turpshme.
Deputetja u shpreh se “në këtë sallë ka vetëm mashtrime, bëhen vetëm pazare dhe më pas aktorët politikë e shesin veten si patriotë.”
“Unë jam me ata shqiptarë që janë të zhgënjyer se ju i mashtruat. Që në 2001 u premtuar që do t’i fusnit në be, ku janë sot rinia shqiptarë që po i degedisni nëpër Londër , Holandë. Vazhdon të bëjnë premtime te tjera. Ju prapë thoni që do hapni listat. I dhatë me koncesion një grupi oligarkesh gjithë pasuritë natyrore të vendit. Bëni çfarë u thotë kryetari, edhe sot po tentoni që të mashtroni shqiptarët, pas 30 vitesh. Mos u hiqni sikur e doni këtë vend.”
Më tej, Hajdari vijoi që të bënte thirrje për ndalimin e seancës së sotme.
“Kodi zgjedhor ndryshohet 1 herë, jo sa herë u do qefi ju. Të ikin në kosh të plehrave ata që se meritojnë. Ndalojeni këtë seance. Mos u bëni pjesë e këtij krimi. Unë deklaroj që nuk e lë këtë foltore të ndërpritet seanca.”
Edhe pasi mori fjalën për replikë dhe kur Ruçi i bëri thirrje që të lironte foltore, Hajdari vijoi të mos bindej dhe më pas u ndërpre dhe seanca. s.b/abcnews.al