Hulumtimet tregojnë se sa më shumë sportiv të jetë një fëmijë, aq më pak sëmuret

schedule16:01 - 26 Janar, 2023

schedule 16:01 - 26 Janar, 2023

Sa më aktiv dhe atletik të jetë një fëmijë, aq më pak ka të ngjarë të sëmuret, sipas një studimi të ri polak.

Nivelet më të larta të ushtrimeve fizike dhe aktiviteti më i përgjithshëm tek fëmijët shoqërohen me një ndjeshmëri të reduktuar ndaj infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, siç është ftohja e zakonshme.

Studiuesit nga Universiteti Mjekësor i Varshavës, të cilët bënë publikimin në revistën e kërkimeve pediatrike “Pediatric Research” të “Nature”, studiuan 104 fëmijë të moshës 4-7 vjeç, duke matur në baza 24-orëshe për 40 ditë lëvizshmërinë e tyre fizike me një mjet të veçantë i mbajtur në dorë. Në të njëjtën kohë, çdo simptomë e infeksionit respirator si kollitja, teshtima etj. regjistrohej nga prindërit për 60 ditë. Gjithashtu janë marrë parasysh faktorë të ndryshëm, si vaksinimi i fëmijëve, pjesëmarrja e tyre në aktivitete sportive, ekspozimi i tyre ndaj duhanit dhe kafshëve shtëpiake në shtëpi etj.

Hulumtimi

Ai zbuloi se për fëmijët që bënin mesatarisht 1000 hapa më shumë në ditë, numri i ditëve me simptoma të një infeksioni respirator u reduktua mesatarisht me 4.1 ditë. Për më tepër, fëmijët që shpenzonin tre ose më shumë orë në javë duke luajtur sporte kishin më pak ditë me një të ftohtë ose infeksione të tjera të frymëmarrjes.

Në 47 fëmijët, hapat mesatarë ditorë të të cilëve ishin 5,668 gjatë dy javëve të para të studimit, numri i përgjithshëm i ditëve me simptoma të infeksionit të frymëmarrjes gjatë gjashtë javëve të ardhshme ishte 947. Por për një grup tjetër prej 47 fëmijësh me më shumë aktivitet fizik (9,368 hapa mesatarisht në ditë), numri i përgjithshëm i ditëve me simptoma të një  ftohjeje ose një infeksioni tjetër respirator u reduktua (724).

Studiuesit arritën në përfundimin se ushtrimi dhe aktiviteti më i madh fizik në përgjithësi ndihmon në reduktimin e rrezikut të infeksioneve tek fëmijët, nga njëra anë duke reduktuar citokinat inflamatore dhe nga ana tjetër duke rritur sistemin imunitar dhe përgjigjet e limfociteve T./abcnews.al