HRW: Transferimi me forcë i palestinezëve në Gazë përbën krim lufte

schedule08:41 - 14 Nëntor, 2024

schedule 08:41 - 14 Nëntor, 2024

Organizata për të drejtat e Njeriut, Human Rights Watch (HRW), tha se urdhrat e vazhdueshëm të Izraelit për evakuimin e banorëve në Gazë përbëjnë “krim lufte të transferimit me forcë” dhe “pastrim etnik” në pjesët e territorit palestinez.

“HRW-ja ka të dhëna të shumta se zyrtarët izraelitë po kryejnë krimin e luftës të transferimit me forcë”, u tha në raportin e organizatës të publikuar më 14 nëntor.

“Veprimet e Izraelit gjithashtu duket se përputhen me përkufizimin e pastrimit etnik” në zonat ku palestinezët nuk do të mund të kthehen, shtoi HRW-ja.

Hulumtuesja e HRW-së Nadia Harman, tha se gjetjet e raportit 172-faqesh bazohen në intervista me banorët e zhvendosur të Gazës, në imazhet satelitore dhe raportimet publike deri në gusht të vitit 2024.

Edhe pse Izraeli ka thënë se zhvendosja justifikohet me sigurinë e civilëve apo për shkak të nevojave ushtarake, Hardman tha se “Izraeli thjesht nuk mund të varet nga prania e grupeve të armatosura për të justifikuar zhvendosjen e civilëve”.

“Izraeli duhet të dëshmojë në çdo rast se zhvendosja e civilëve ishte opsioni i vetëm”, për të respektuar plotësisht ligjin ndërkombëtar humanitar.

Sipas Kombeve të Bashkuara, 1.9 milion palestinezë ishin të zhvendosur në Gazë deri në tetor të vitit 2024. Para se të niste lufta në tetor të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i popullsisë në Gazë ishte 2.3 milionë banorë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!