Do ta provojë atmosferën përpara se të shkojë ate me kombëtaren.
Arbër Hoxha ka rastin të luajë i pari ndër shqiptarët në Serbi, pasi pikërisht aty do të mbahet ndeshja e Ligës së Europës mes Dinamos së Zagrebit dhe Makabit të Tel Avivit.
Të enjten e 2 tetorit, dy ekipet do të dalin në terrenin e stadiumit të qytetit të vogël, Baçka Topola, në Vojvodinë, në Serbinë veriore.
Skuadra më e madhe e Kroacisë shkon si “mik” në duelin ndaj izraelitëve në javën e dytë të konkurrimit kontinental, ndërsa sfida është e pamundur të luhet në Izrael për shkak të konfliktit në Gazë, dhe situatës më gjerë në rajon.
Vendimi I UEFA-s u shoqërua edhe me një tjetër, sipas të cilit ultrasit e Dinamos nuk do të lejohen të shkojnë në Backa Topola në formë të organizuar.
Ekziston frika se grupimi I tifozëve fanatikë “Bed Blu Bojs” mund të organizojnë konflikt të dhunshëm me grupimet e rrezikshme të dy skuadrave të Beogradit, Crvena Zvezda apo Partizan, të njohur me emrat “Delije” dhe “Grobari”.
Stadiumi në Baçka Topola është i vogël, me rreth 4 500 vende, por gjithsesi rreziku është i madh për Hoxhën dhe shokët e tij, edhe pse masat e sigurisë do të jenë tepër të larta.
Ylli I kombëtares është në formë shumë të mirë, ndërsa në pak ditë shënoi një gol të jashtëzakonshëm në derbin e Kroacisë në fushën e Hajdukut, si dhe shërbeu asist në fitoren e madhe ndaj Fenerbahçes në ndeshjen e parë në Ligën e Europës./abcnews.al


