Hoxha, gol për titullin, sulmuesi i Kombëtares siguron një “rrjetë me peshë” në Kroaci

schedule19:36 - 6 Maj, 2024

schedule 19:36 - 6 Maj, 2024

Në fund fitojnë gjithmonë të njëjtët. Mund të dështojë Bayern apo Juventus, por në Kroaci nuk imagjinohet të dalin huq kryeqtytetasit e Dinamo Zagreb. Skuadra më e madhe e Ballkanit, sot për sot, pati nevojë sidoqoftë për një shqiptar që të shkonte drejt titullit të radhës në Ligën e Parë.

Ky ishte Arbër Hoxha, një hero i papritur, dhe i lënë pas dore për kaq shumë ndeshje, por të cilin tifozët kryeqytetas nuk do ta harrojnë kurrë, me sulmuesin e Kombëtares shqiptare, që iu deshën vetëm dy minuta në fushë për të vendosur fatin e derbit të kampionatit, luajtur në fushën e skuadrës së Rijeka.

Dy ekipet u ndante vetëm një pikë në renditje, dhe vendasit mund të fitonin praktikisht titullin në rast fitoreje. Rijeka kaloi në epërsi falë yllit kryesor, Marko Pjaca, me një 11-metërsh. Më pas, vendasit ishin me fat që ish-lojtari i Shqipërisë, Liridon Selahi, nuk u përjshtua me të kuq, kur e kishte një të verdhë.

Trajneri Sopic e nxorri menjëherë nga fusha për të mos e rrezikuar më shumë. Gjithsesi, Dinamo nuk u dorëzua, por duhet thënë se pati edhe fat. Përtej mjeshtërisë së kapitenit Bruno Petkovic me një barazim prej manuali, Rijeka bëri shumë më tepër. Krejt i pafat sfiduesi i vetëm i kryeqytetit Zagreb, që goditi dy herë shtyllat, që pati 26 gjuajtje ndaj vetëm 3 të Dinamo dhe me goditjet nga këndi që ishin 7-1.

Sidoqoftë, përvoja dhe klasi i Hoxhës siguruan fitoren dhe titullin në minutën e 89’-të. Tashmë, kampionët kanë 75 pikë ndaj 71 të Rijeka kur duhen edhe tri javë deri në përfundim. “Ylli” i Kombëtares shpreson që të luajë më shumë në ndeshjet e mbetura dhe të sigurojë Evropianin. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!