Skandali i inceneratorëve çoi pas hekurave ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ndërsa dy biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë shpallur në kërkim. Për gazetarin Artan Hoxha ky është një rast i paprecedent që dëshmon skemën si korrupsioni është në gjendje të tjetërsojë një shoqëri.
“Privati mori lekët e shtetit, ka darovitur shtetin me paratë tona dhe pastaj në fund bënë këtë katrahurë. Aty ka pasur lekë për të tërë. Ne po i themi SPAK-ut mos ndalo këtu, shko atje ku të çojnë gjurmët. Minimalisht janë 178 mln euro të firmosura, ne kemi kapur 3.6 mln euro. Paratë e zhvatura kanë ndikuar në fushatat elektorale.
Në makro këto para kanë blerë mediat, partitë politike, fushatën elektorale. Kjo është skema më e thjeshtë që dëshmon si korrupsioni është në gjendje të tjetërsojë një shoqëri. Skemë më të trashë që mund të grabisësh paratë nuk kam parë” tha ai.
Gazetari Elvi Fundo u shpreh se zinxhiri i pagesave tregon se inceneratorët kanë blerë jo vetëm media, por edhe politikanë, që janë të përfshirë. “Po të hapin zinxhirin e pagesave nuk kanë paguar vetëm Kokën, por të gjithë. Nuk kanë lënë media pa blerë. Si ka mundësi që kryeministri i vendit tim nuk e di që janë miliona euro. Në Tiranë është bërë edhe krim më i madh” tha ai.
“Alqi Bllakos pse nuk ia kanë kontrolluar xhepat?” pyeti gazetari Fundo. Alqi Bllako, sot deputet i PS-së, në kohën e firmosjes së kontratave nga Lefter Koka ka qenë sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit.
“Inceneratorët kanë marrë fonde edhe nga AZHBR-ja për të bërë një serë brenda” tha Artan Hoxha më tej. Gazetarët Elvi Fundo dhe Artan Hoxha u shprehën se inceneratori i Elbasanit është jashtë standardeve dhe nuk e marrin në dorëzim, pasi u ndërtua pjesë pjesë duke e cilësuar “kazan rakie” që sot është sekuestruar nga SPAK dhe që në 17 Dhjetor është afati që t’u kalojë bashkive të qarkut të Elbasanit.
Koka dhe funksionimi i skemës që zbuloi SPAK?
Ish- ministri i Mjedisit Lefter Koka është vendosur në pranga dhe janë shpallur në kërkim biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja për aferën e ndërtimit të inceneratorëve. Në njoftimin zyrtar të prokurorisë së posaçme bëhet me dije se, ndaj Kokës janë ngritur katër akuza, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Biznesmeni Klodian Zoto që është pronari I kompanisë “Albtek Energy” që ka në zotërim inceneratorin e Elbasanit dhe Stela Gugallja që zotëron kompaninë “Integrated Technology Services” që ka ndërtuar inceneratorin, përmes një skeme fiktive kanë kaluar për llogari të ish-ministrit dy shuma monetare në këmbim të dhënies së licencës. Sipas prokurorisë, Zoto me kompaninë e tij ka kaluar për llogari të disa kompanive të ish-ministrit dhe familjarëve të tij shumën prej 2 milionë e 950 mijë euro, me pretendimin se janë paguar punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto kompani.
Në të njëjtën formë edhe kompania në zotërim të Gugallës ka kaluar një shumë prej 735 mijë euro. Në total këta biznesmenë kanë paguar 3 milionë e 685 mijë euro shoqërive që dyshohet se janë në pronësi të ish ministrit Koka dhe familjarëve të tij. Prokuroria pretendon se tenderi për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit është përfituar në shkelje të ligjit.
Në procedurën e ndjekur për dhënien e koncensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, por ligji parashikon që për dhënien e koncensionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: A) procedura e hapur; B) procedura e kufizuar; ose procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Për këtë, prokuroria bën përgjegjës ish-ministrin Koka si personi që ka organizuar tenderin dhe fitues është shpallur kompania në pronësi të Zotos.
Ndërkohë SPAK ka vendosur nën sekuestro inceneratorin e Elbasanit, kompaninë që e ka ndërtuar si dhe 88 përqind të aksioneve të kantinës së njohur të pijeve alkoolike Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pronësi të Lefter Kokës. Hetimi i SPAK ka nisur pas kallëzimit të PD dhe LSI.
/ Abcnews.al