Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes maksimal, pasi varianti i ri i koronavirusit po përhapet shumë shpejt.
Hoti po ashtu ka bërë të ditur se sot është bërë kategorizimi i komunave.
“Rangimi i komunave i bërë sot lidhur me masat anti Covid-19 tregon se po përmirësohet gjendja. Por, duhet të kemi kujdes maksimal pasi tani po qarkullon varianti i ri i virusit covid-19, i cili po përhapet shumë më shpejt”, shkroi ai në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.
Prej ditës së sotme e deri më 15 janar, në zonën e kuqe, janë vetëm 7 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Obiliqi, Zubin Potoku dhe Leposaviqi. Në zonën e verdhë, janë po ashtu 7 komuna: Mitrovica e Jugut, Ferizaji, Lipjani, Podujeva, Vushtrria, Parteshi, dhe Juniku.
Ndërsa, në zonën e gjelbër, janë 24 komuna: Kllokoti, Gjakova, Kamenica, Peja, Drenasi, Skenderaj, Istogu, Deçani, Shtërpca, Klina, Shtimja, Novobërda, Vitia, Prizreni, Suhareka, Kaçaniku, Rahoveci, Malisheva, Hani i Elezit, Dragashi, Mamusha, Gjilani, Ranillugu dhe Graçanica. /abcnews.al/