Hong Kong, sërish protesta ndaj ligjit të ekstradimit

schedule18:00 - 7 Korrik, 2019

schedule 18:00 - 7 Korrik, 2019

Në Hong Kong nuk rreshtin protestat kundër ligjit të ekstradimit. Këtë të diel manifestuesit kanë zgjedhur zonën më luksoze të qytetit, për t’u dhënë një mesazh të qartë vizitorëve kinezë mbi pavarësinë e tyre.

Dhjetëra mijëra protestues mbushën sërish të dielën rrugët e Hong Kongut, duke u fokusuar këtë herë në një prej zonave më turistike të rajonit autonom. Zona në fjalë, e njohur për dyqanet luksoze, u zgjodh nga manifestuesit për t’u përcjellë një mesazh turistëve kinezë sa i takon qëndrimit të tyre ndaj ligjit të ekstradimit të kërkuar nga Pekini.

Protestat kundër projekt/ligjit, tashmë i pezulluar, nxorrën në rrugë milionë njerëz, që me protestat e tyre u kthyen në sfidën më të fortë për presidentin Xi Jinping, që nga marrja e detyrës në vitin 2012.

Drafti, që do t’u lejonte personave të kërkuar dhe disidentëve të dërgoheshin në Kinë për t’iu nënshtruar procesit gjyqësor, shkaktoi irritim në mbarë Hong Kongun për faktin se do të vinte në rrezik pavarëinë e tij nga Pekini.

Hong Kongu u kthye nën dominimin kinez në vitin 1997, në bazë të formulës “një vend, dy sisteme”, që i lejonte ish-kolonisë të drejta që në Kinën mëmë nuk ekzistojnë si ajo për të protestuar dhe atë për një gjyqësor të pavarur.

Në protestat e pak ditëve më parë, qytetarët sulmuan selinë e Parlamentit përpara se të shpërndaheshin nga policia që përdori gaz lotësjellës. Ndërsa këtë të diel, ata marshuan në rrugët e zonës Tsim Sha Tsui, e njohur për luksin e saj, në përpjekje për t’ua bërë të qartë mesazhin e tyre turistëve kinezë.

Marshimi është ndalur tek stacioni i trenit që lidh Hong Kongun me Kinën, një pikë kjo mjaft nevralgjike për faktin se një pjesë e kompleksit kaloi nën juridiksionin kinez shtatorin e kaluar, një lëvizje që ngriti shqetësime për autonominë e premtuar të Hong Kongut./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!