Hong-Kong, rinisin protestat kundër ligjit të ekstradimit

schedule16:57 - 16 Qershor, 2019

schedule 16:57 - 16 Qershor, 2019

Në Hong Kong rinisën protestat pavarësisht vendimit të qeverisë lokale për të pezulluar projektin për ligjin e ekstradimit. Për manifestuesit, pezullimi i përkohshëm është vetëm një taktikë për të mashtruar popullin. Ndërkohë, guvernatorja Kerri Lam u ka kërkuar të falur qytetarëve për trazirat e shkaktuara.

Disa mijëra njerëz dolën për të protestuar sërish të djelën në Hong Kong kundër ligjit të kontestuar të ekstradimit, pavarësisht vendimit të qeverisë për të pezulluar draftin. Ligji i ri, që do t’i hapte rrugë ekstradimit nga Hong Kongu në Kinë të disidentëve politikë, detyroi qindra mijëra qytetarë të ishullit të protestonin përgjatë javës.

Ditën e shtunë, guvernatorja e Hong Kongut Kerri Lam deklaroi se plani për ligjin ishte pezulluar, por protestuesit kërkuan që të anulohet tërësisht dhe madje paralajmëruan se protestat do të vazhdonin. Kështu, të dielën turma të mëdha njerëzish u mblodhën në sheshin Viktoria, shumica e të cilëve të veshur me të zeza dhe duke mbajtur lule të bardha në nder të një manifestuesi të vdekur.

Ndërkohë, shumë të tjerë bllokuan rrugët dhe stacionet hekurudhore. Disa mbanin në duar pllakate ku akuzonin Kinën se po vret popullin e Hong Kongut, ndërsa të tjerë banera përmes të cilëve kundërshtonin ligjin e debatuar. Protestuesit u shprehën skeptikë për vendimin e guvernatores për të pezulluar përkohësisht draftin. Sipas tyre, ajo e mori këtë vendim për të mashtruar manifestuesit dhe për t’i qetësuar ata, për ta kthyer më pas ligjin në një moment më të qetë.

Nga ana e saj, guvernatorja Lam u kërkoi ndjesë manifestuesve dhe të gjithë banorëve të ish-kolonisë britanike. Përmes një komunikate për shtyp, Lam shprehu keqardhjen që shkaktoi debate dhe përplasje në radhët e shoqërisë, përplasje që sipas saj shkaktuan trishtim dhe zhgënjim tek shumë njerëz./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!