Hong Kong, policia përdor armë zjarri kundër protestuesve

schedule22:37 - 1 Tetor, 2019

schedule 22:37 - 1 Tetor, 2019

Policia në Hong Kong ka përdorur për herë të parë armë zjarri ndaj protestuesve pro-demokracisë, që kundërshtojnë vartësinë nga Kina. Plumbat kanë plagosur një 18-vjeçar, që i ishte bashkuar protestës që përkonte me 70-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore Kineze.

Një aktivist i përfshirë në protestat anti-qeveritare në Hong Kong është qëlluar me armë zjarri në gjoks nga policia gjatë përleshjeve.

Incidenti ndodhi teksa disa mijëra persona demonstruan të martën në shenjë sfide ndaj ndalimit të protestës së urdhëruar nga autoritetet me rastin e 70-vjetorit të Kinës Komuniste.

Edhe pse më parë protestuesit janë qëlluar me plumba gome, kjo është hera e parë që dikush plagoset nga një armë zjarri.

Në thuajse 4 muaj protesta, qytetarët e Hong Kongut kanë sfiduar presidentin kinez Xi Jinping dhe vizionin e tij për unitet kombëtar.

Në atë që u pagëzua si “dita e zisë”, njerëzit mbushën rrugët në qendër të Hong Kongut dhe në të paktën 6 zona të tjera të tij, duke bllokuar edhe akset e trafikut.

Të paktën 51 persona mbetën të plagosur gjatë përballjes me policinë, e cila qëlloi gaz lotësjellës për të shpërndarë turmën e pajisur me bomba molotov.

Mësohet se 4 nga të plagosurit janë në gjendje kritike për jetën.

Ndërkohë, personi i qëlluar me armë zjarri, 18 vjeç, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike dhe gjendja e tij nuk dihet ende se si paraqitet.

Policia deklaroi se ai ishte qëlluar pranë shpatullës së majtë.

Në një video të publikuar në mediat online shfaqet një polic që hap zjarr me një revolver teksa një grup manifestuesisht përpiqet të sfidojë forcat e rendit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!