Lamtumirë Gert Bogdani! Ish-deputeti i PD përcillet me homazhe, u nda nga jeta pas një arresti kardiak

schedule12:50 - 19 Shtator, 2024

schedule 12:50 - 19 Shtator, 2024

TIRANË- Parlamenti hapi dyert këtë të enjte, jo për rutinën e zakonshme në këtë ditë jave. Por për të pritur aty politikanë e qytetarë që nderuan dhe thanë fjalën e fundit për politikanin Gert Bogdani, që të mërkurën iu ndërpre jeta në moshë të re, nga një arrest kardiak.

Familja e tij priti në trishim e lot ngushëllimet nga miqtë, zyrtarët më të lartë të vendit dhe politikës, që lanë shënim kujtimet e tyre, për modelin që përcolli tek të gjithë ish-deputeti demokrat.

Demokratët qëndruan në oborr të Parlamentit gjithë kohën, ndërsa për gati 3 orë u kryen homazhe.

Konfikti i zakonshëm politikë nuk pati vend në Parlament dhe Gert Bogdani u nderua nga deputetë të Partisë Socialiste.

Ish-kryeministri Berisha nuk mundi të ishte në homazhe, por familjarë të tij përcollën ngushëllimet për Gert Bogdanin.

Homazhe kreu dhe bashkëshortja e kryeministrit Rama, që ndodhet në Bruksel, Linda Rama.

Shumë prej gjithë këtij vargu qytetarësh e kanë njohur Gert Bogdanin dhe kanë bashkëpunuar me të. Politikania Lejla Përnaska tregon mbi gjurmët e lënë nga Gert Bogdani.

Por shumë e kanë vlerësuar dhe për atë që Bogdani ka përcjell nga ekrani, pa e njohur atë nga afër.

Gert Bogdani ka hyrë në politikë në vitin 2005, si një i ri mes shumë të tjerëve në Partinë Demokratike. Për dy mandate u zgjodh deputet, 2009-2017, kohë e cila nga kolegët e tij kujtohet për qytetarinë dhe maturinë që ka përcjell, edhe në konfikualitet.

Kush ishte Gerti Bogdani

Gerti Bogdani (lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë), politikan shqiptar, ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.

Pasi mbaroi shkollën e mesme, me rezultate të shkëlqyera dhe “Medalje Ari”, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku diplomohet me ‘Nderimet më të Larta’, gjithashtu me medalje ari.

Pas përfundimi të studimeve Bogdani u rikthye në Shqipëri, ndërsa filloi karrierën profesionale në fushën akademike, ndërsa themeloi dhe drejtoi rrjetin e Studentëve Shqiptarë në Botë.

Në vitin 2007, Bogdani bëhet pjesë e politikës. Ai kandidoi në siglën e Partisë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton.

Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdon aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në vitin 2011 zgjidhet zv/president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë”. Ndërsa në në shtator 2015 zgjidhet Kryetar i kësaj organizate, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave. Në 2022 Bogdani garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 2023. Gjatë angazhimit të tij politik, ai i ka dhënë gjithnjë zë nisma politike për mbrojtjen e vlerave të qytetarisë dhe trashëgimisë së Tiranës, qyteti ku u lind dhe u rrit./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!