Teuta luan nesër një ndeshje tepër të rëndësishme. Kampionët e Shqipërisë përballen në “Elbasan Arena” me Shamrock Rovers (e enjte, 20:00), në duelin e kthimit të raundit të tretë të Conference League.
Kampionët e Irlandës fituan 1-0 përballjen e parë në fushën e tyre. Në konferencën për shtypin doli Bledar Hodo, zv trajneri i Teutës, i cili thekson se Teuta do tentojë fitoren dhe kualifikimin në fazën “play-off”.
“Mendoj se jemi në gjendje të mirë, nga ana psikologjike dhe fizike. Këtë periudhë kemi bërë ndeshje mjaftueshëm për të qenë në gjendje optimale. Sigurisht që gjendja e skuadrës është pozitive, edhe fryma e grupit. Kundërshtari është shumë i fortë. Jemi përgatitur për këtë ndeshje, shpresojmë të bëjmë më të mirën.
Ne do tentojmë ta fitojmë ndeshjen, por duke pasur parasysh që të mos pësojmë gol. E kemi përgatitur ndeshjen, kemi parë pikat e forta të kundërshtarit, që e njihnim vetëm përmes videove përpara ndeshjes së parë.
Tani e njohim duke e prekur edhe në fushë. Shpresoj të bëjmë më të mirën dhe ta kalojmë me sukses këtë tur. Rikthehet Aleksi? E kemi menduar si qendërmbrojtës këtë ndeshje, sepse kërkojmë që skuadra të luajë më shumë në ofensivë, prandaj kemi menduar këtë zgjedhje.
Shamrock? Është një ekip shumë herë më i fortë, fizikisht dhe teknikisht. Besoj se janë një skuadër e kompletuar, por ne do tentojmë kualifikimin, sepse nuk kemi se çfarë humbim.
Elbasan Arena? Na intereson fusha e Elbasanit, terreni është shumë herë më i mirë se në stadiumin tonë. Kjo lloj ndeshje do zotërim dhe qarkullim topi shumë të shpejtë, kjo lloj fushe ta lejon këtë gjë.
Grupi është optimal, të gjithë janë të gatshëm. Penalltitë? Do luajmë për ta fituar ndeshjen, por edhe të mos pësojmë. Nëse shënojnë, do shpresojmë ta çojmë ndeshjen edhe te penalltitë. Jemi përgatitur.
E kemi detyrim të kualifikohemi. Humbjen e kemi marrë, e kemi në xhep. Do tentojmë të bëjmë më të mirën, besim kemi, çunat kanë besim, do e tentojmë, shpresojmë t’ia arrijmë. Presion ka te çdo skuadër, edhe ne kemi presion, do thosha pozitiv, që ta kalojmë turin.
Plaku? Mendoj se Sebino ka eksperiencën e duhur. Provat i ka dhënë te Skënderbeu dhe te ne. Uroj dhe shpresoj që të bëjë këtë ndeshje edhe më të mirë, që të mbesë në histori ashtu siç është“, përfundoi Hodo. /abcnews.al