Tirana dhe Partizani kanë tifozë të shumtë dhe në të gjithë Shqipërinë. Dy prej më të njohurve janë banorët e kryeqytetit, Muhamet Zalta tifoz i Tiranës, dhe Agim Gjonçka i Partizanit, të cilët treguan historinë e tyre për Abc News.
Muhamet Zalta, shkurt Meti, është një nga tifozët më të shquar të Tiranës dhe vazhdon traditën e babait të tij, Rexhepit. Meti po e pret me padurim derbin e radhës dhe nis e rrëfen historinë e tij, teksa prek disa tema të ndryshme.
“Nuk më harrohet një ndeshje në vitin 1970, luante Tirana-Partizani dhe kam qenë me babën. Ne ishim për kampionë. Pjesën e parë humbi penallti Mema, e nxori jashtë andej nga liqeni, u bëmë me babën boo. Shyqyr që barazoi Ben Çela në minutën e 90-të. Ishte një gëzim i madh, sepse pas dy javësh u shpallëm kampion pas fitores me Luftëtarin.
Derbi? Unë them që fiton Tirana 3-1, sepse ka ardhur shumë mirë me moral. Ka të bëjë edhe Egbo, ka futur një frymë shumë të mirë. Ekipi kualitetet i ka. Me këtë formë që po kalon Tirana, 100% e fiton kampionatin. Ka shumë tifozë Tirana.
Stolat? Në derbi duhet të hiqen, edhe Koln dhe Dortmund i heqin ose i lidhin stolat. Sa të mësohen, pastaj nuk do të ketë më thyerje stolash. Pa tifozë duket sikur po shkon në mbledhje. Nuk jemi armiq, kemi shokë me Partizanin dhe Dinamon”.
Rreth derbit flet edhe Agim Gjonçka, ish-sportist, i cili rikthehet pas në kohë në prononcimin për ABC News.
“Ai vendi atje është vendi im, nuk ulet askush tjetër. Historia ime? Dremita pak, erdha shpejt nga ma,i i Dajtit dhe i thashë mamasë të më zgjonte për ndeshjen. U zgjova vonë dhe kur shkova në stadium preva biletën, por nuk kisha ku të futesha. Kemi fituar 3-0 atë ditë, ka shënuar dy gola Lad Balluku dhe një Panajot Pano.
E kam parë ndeshje të dy flamujt, te karshia ky futesh dhe kam pas një shall të kuq. E tundja siç e tundin sot. E kam akoma në shtëpi, është një shall shumë i bukur.
Derbi? Ne jemi kampionët në fuqi, kemi goxha ndryshime, por nuk jemi ekipi i vjetshëm që të tremb. Tirana është më mirë për momentin. Ndeshja do bëhet shumë e fortë, i ka të tre rezultatet, dua vetëm që të jetë një arbitër shumë serioz.
Tifozët e Tiranës? I përshëndes gjithë miqësinë time, të cilët janë tifozë të Tiranës, duke filluar nga Bedri Alimehmeti, Rezarta Delisula, Met Zalta, Mond Hyshka dhe shumë të tjerë, që i kam pasur dhe vazhdoj t’i kem shokë“. /abcnews.al